Parkingu në Tiranë më i lirë tek qendrat tregtare se në ato të Bashkisë

Drejtuesit e automjeteve ndeshen me vështirësi për gjetjen e vendeve të parkimit, pasi vendet e destinuara për pushimin e mjeteve janë kthyer në korsi biçiklete ose janë bërë me pagesë

Sheshet parking të Bashkisë rezultojnë me tarifa më të larta se parkingjet e qendrave tregtare apo parkingjeve të tjera private. problematike është detyrimi për të paguar minimalisht për 3 orë parkim, edhe nëse ky shërbim kërkohet për disa minuta.

Situata bëhet më e vështirë brenda unazës së Tiranës, ku vendet për të parkuar janë te kushtëzuara. Qytetarët të cilët duan të parkojnë në afërsi të qendrës mund të përdorin parkimin nëntokësor të sheshit Skenderbej, apo tek pazari i ri, por pagesat varijojnë nga 200 lekë për 0-deri në 3 orë, ndërsa pas këtij orari tarifa rritet ne 500 lekë dhe 800 leke.

Nëse një qytetar i cili është i punësuar afër qendrës dhe parkon makinën në këto sheshe gjatë 8 orarit të punës, në mungesë të hapësirave të tjera pranë punës së tij, atëherë duhet të paguajë 500 lekë në ditë. Nëse vonohet 1 minutë me shume në punë, atëherë tarifa i llogaritet për hapësirën 8-12 orë, pra duhet të paguajë 800 lekë.

Të njëjta tarifa janë dhe në parkingun pranë stadiumit kombëtar, me tarifë fillestare 200 lekë dhe maksimale 800 lekë. Këto pagesa janë të larta kur i krahason me çmimet që ofrojnë qendrat tregtare apo parkingjet private me tarifa 100 lekë për orë.

Të njëjta tarifa si sheshi Skenderbej, parkingu tek sheshi Avni Rustemi apo pranë stadiumit, janë dhe tek parkingu pranë pallatit të sportit Asllan Rusi, ku minimalisht duhet paguar shuma prej 200 lekësh, edhe pse ndodhet në një zonë larg qendrës së qytetit.

Bashkia e Tiranës i afrohet çmimeve të qendrave tregtare vetëm në parkingjet anës rrugëve, ku në zonën A paguhet 100 lekë për orë.