U dërgua brenda një kapsule në Itali, ja gjendja shëndetësore e Imzot George Frendo
Zyra e Shtypit të KISH ka dhënë detaje në lidhje me gjendjen e shëndetësore të Imzot George Frendo, i cili disa ditë më parë u transferua në spitalin “Acquaviva delle Fonti”, në Miulli (Bari) pasi ishte infektuar me COVID-19.
Bëhet e ditur se aktualisht gjendja e Imzot Frendos paraqitet e mirë dhe ai po shkon drejt rikuperimit gradual, ndërsa sot ka “pasur mundësinë të kremtojë Meshën Shenjte në kapelën e repartit Covid ku ndodhet në këtë spital, së bashku me besimtarë e tjerë që po kurohen nga ky virus.”
Komunikim mbi gjendjen shëndetësore të SH. T. Imzot George Frendo
Nga kontaktet me përgjegjësit e repartit Covid-19 të spitalit “Acquaviva delle Fonti”, në Miulli (Bari), na lajmërojnë gjendja shëndetësore e SH. T., Imzot George Frendo, Arqipeshkëv Metropolit Tiranë-Durrës, është shumë e mirë; ai po shkon drejt rikuperimit gradual si dhe çdo gjë paraqitet e qëndrueshme.
Nga një video-telefonatë e bërë, Imzot Frendo ka treguar se po kalon momente të qeta nën kujdesin e fretërve kapuçin dhe kapelanëve të këtij spitali. Sot ka pasur mundësinë të kremtojë Meshën Shenjte në kapelën e repartit Covid ku ndodhet në këtë spital, së bashku me besimtarë e tjerë që po kurohen nga ky virus.
Imzot Frendo shprehet i padurueshëm për t’u kthyer në përditshmërinë e tij në Arqidioqezë (Tiranë) dhe jetën baritore.
Ne vijojmë lutjet që shëndeti i tij të kthehet në normalitet si dhe bashkohemi me lutjen e Kishës që nuk ndalet për të gjithë të prekurit nga Covid-19, e sidomos lutemi edhe për të gjithë stafet mjekësore që po kujdesen me orare të pafundme.
Ora News solli pamje të momentit të mbërritjes së Arqipeshkopit të Tiranës e Durësit njëherësh President i Konferencës Ipeshkvore Shqiotare George Anthony Frendo si dhe i priftit italian Frate Buonaventura, në aeroportin e Barit.
Një fluturim special i aeronautikës ushtarake italiane ishte rezervuar për ta.
Ata u transferuan nga Tirana në Bari të shoqëruar nga një ekip mjekësorë i drejtuar nga doktor Gaetano Di Pietro.
Në pamje dukeshin barelat e specializuara, (kapsula) ku ishin vendosur dy klerikët për tu transportuar më pas në spitalin Miulli në Acquaviva delle Fonti, Bari.