Rruga e Velipojës, banorët: Nuk shkojmë dot në tokat tona
Ende nuk është inauguruar zyrtarisht dhe pak ditë pasi u çel për lëvizjen e automjeteve, segmenti i Berdicës pjesë e rrugës Shkodër-Velipojë ka rënë pre e dëmtimeve.
Bordurat anësore kanë nisur të çmontohen dhe bulonat e lënë në tokë, tregojnë se veprimi i kryer ka qënë i qëllimshëm.
Mungesa e aksesit për të hyrë dhe dalë në tokat bujqësore përmes rrugës së re u kundërshtua prej banorëve që në hapat e parë të projektit dhe madje protestuan disa herë që tu gjendej një zgjidhje. Ata tregojne se janë ende në pritje që të korigjohet ky projekt i zbatuar.
“Ku të shkojmë, me këtë tokë jetojmë ne. S’kemi punë tjetër. Ku të kalojmë me lopët, se këtu ecin me 100 km/orë. Ne kërkojmë të na bëjnë rrugën për të hyrë në blloqe, se nuk kemi nga të mbajmë prodhimet. Ata kanë thënë të bëjnë rrugën, por most ë dëmtojnë fshatarët. Ne na kanë dëmtuar.”
Edhe kryetarja e bashkisë Voltana Ademi në intervistën e dhënë për Ora Neës në 26 tetorin e këtij viti, e përmendi këtë fakt, duke akuzuar qeverinë se nuk zbatoi investimin e dakortësuar, por e ndryshoi rrugës.
“Nuk është ai që ishte fillestari, nuk është ai që është miratuar kur ishte Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe që bëmë dëgjesën publike këtu. Ka devijuar rrugës dhe megjithatë ne jemi përpjekur që ta fasilitojmë të paktën në aspektin teknik. Kërkesat tona nuk janë plotësuar.”
Sot kur zgjidhjen nuk jua dha shteti, një pjesë e banorëve kanë tentuar ta gjejnë vetë duke çmontuar barrierat mbrojtëse.
Në këtë pikë dëmi që bëhet edhe disa herë më i madh, pasi prishet një investim publik dhe dalje të tilla të pamiratuara bëhen burim aksidentesh, në një rrugë me frekuencë të lartë levizjesh që lidh kryeqendrën e veriut me disa fshatra dhe plazhin e Velipojës.