Qeveria ndan mbi një milion euro për “Trepçën”
Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi një milion euro për kombinatin metalurgjik “Trepça”, si zgjidhje për tejkaluar problemet financiare në të cilat ndodhet aktualisht kjo kompani.
Kështu tha kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas një takimi që ka zhvilluar me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi dhe anëtarët e bordit të përkohshëm të “Trepçës”.
Kombinatit “Trepça” gjatë javës së kaluar i janë bllokuar llogaritë për shkak të borxheve të akumulura.
Kryeministri Hoti tha se vlera e borxhit të përgjithshëm të kësaj kompanie arrin në rreth 8 milionë euro.
“Situata në kompani është shumë e vështirë. Por, e vështirë në masë të madhe është për shkak të gjendjes në të cilën po kalojmë të pandemisë në nivel global dhe në pamundësi që ‘Trepça’ të shesë produktet e saj në tregjet botërore. Por, pjesërisht duhet pranuar faktin se edhe për shkak të menaxhmentit joadekuat në menaxhimin e kësaj kompanie”, tha Hoti, raporton REL.