Abilekaj: Serbët, komb me mentalitet shovinist. Rama akuzon Bashën se beson te fajësia e Thaçit?
Deklarata e Presidentit Aleksandër Vuçiç duke e krahasuar Kosovën me "Nagorno Karabakun" shkaktoi reagim të ashpër në mbarë shqiptarinë.
Analisti, Enton Abilekaj, thotë se ishte një deklaratë provokative joserioze.
Abilekaj: Janë provokime nga një komb që nuk e ka pranuar kurrë faktin që duhet të mos jetë shovinist, të futet brenda kufinjve të vet dhe të zhvillojë vendin e vet. Ka qenë gjithmonë autor luftrash, mentalitet luftrash dhe pushtuesi. Për fat të keq vazhdon akoma. Më e keqja është se ne i japim legjitimim duke e thirrur për bashkëpunimin ballkanik ndërkohë që popujt nuk janë paqtuar akoma me njëri-tjetrin, duhet të gjenden të zhdukurit, duhet të dënohen ata që i zhdukën. Ata që përdhunuan dhe vranë në Kosovë, bënë varre masive. Nuk mund të ketë paqe nëse nuk ka një Nuremberg. Vuçiç si ish-ministër i Millosheviçit tregon se ka të njëjtin mentalitet si ai.
Sipas tij, serbët janë një komb që vazhdojnë të kenë mentalitet shovinist, vazhdojnë të krenohen me të kaluarën e turpshme të vendit të vet.
Abilekaj: Serbia jo vetëm nuk i dorëzon, jo vetëm i mbron dhe i fsheh të kërkuarit e Hagës, ata që duhet të gjykohen në Hagë, por një prej tyre është në parlament. Është një komb që vazhdon të ketë mentalitet shovinist, vazhdon të krenohet me të kaluarën e turpshme të vendit të vet duke e quajtur një luftë nacinaliste. Shqiptarët e Kosovës po tregohen shumë të hapur edhe në paqe ndaj hetimit, kemi çuar kryeministrin atje dy herë. Nëse ata kanë kryer krime do të dënohen ata jo UÇK.
Lidhur me gjykimin e ish-zinxhirit të UÇK-së në Hagë, ai thotë se drejtësia duhet të lejohet të bëjë punën e vet në të kundërt cënohet e gjithë lufta.
Abilekaj: Ishte një luftë për mbrojtje, luftë kundër një pushtuesi.Çdo luftë ka rregullat e veta, ata nuk ishin ushtarakë të mësuar që njohin rregullat dhe ligjet e luftës, ishin qytetarë të revoltuar që u bashkuan për çlirimin e vendit. Një luftë partizane dhe frontale herë pas here. Ajo që po hetohet janë disa krime që kanë pasur viktima kryesisht shqiptarë dhe janë kryer kryesisht në Shqipëri, në disa burgje dhe "gjykata" vendore në bazat e UÇK.Janë dënuar kosovarë për këto krime, disa ish-luftëtarë të UÇK. Drejtësia duhet të bëjë punën e vet, nëse nuk lejohet e gjithë UÇK do të marrë këtë ngjyrim.
Sa i takon sjelljes së kryeministrit Rama, Abilekaj u shpreh për Rtv Ora se Kryeministri e pranon verdiktin e drejtësisë vetëm kur i pëlqen.
Rezerva ka edhe për reagimin e Bashës lidhur me akuzat e adresuara nga Rama.
Abilekaj: Rama nëse i pëlqen e pranon, nëse nuk i pëlqen nuk e pranon. Hashim Thaçi e pranon, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi. Vetëm Rama se pranon, thotë fajin e ka ai që bëri hetimet. Nëse ti beson te pafajësia e Hashim Thaçit është më mirë të hetohet, e nëse beson te fajësia atëherë fajin e ka ai që heton. Edi Rama beson te fajësia e shqiptarëve? Pse e fajëson Bashën, se ka zbuluar që Hashim Thaçi është i fajshëm? Ndërsa Basha nga mënyra si e mohon këtë tregon se nuk është gati të përballet parimisht por do të luajë me këtë lojën nacionaliste të maskarenjve që fshihen te nacionalizmi kur kanë probleme, nuk duhet të luajë lojën e Ramës. Nuk ka rëndësi ishte apo nuk ishte aty Lulzim Basha, hetimi nuk duhej shkangur se do të na mbente njolla e shtëpisë së verdhë.