Telashe për Barçën, futbollistët nuk pranojnë ulje pagash
Këshilli Administrativ i Barcelonës komunikoi se tavolina e negociatave për të vendosur modalitetet e reduktimit të pagave të lojtarëve profesionistë dhe të të gjithë punonjësve të klubit, ka dështuar.
Me pak fjalë, lojtarët e Barcelonës nuk pranojnë uljen e pagave, edhe pse klubi prej kohësh është në vështirësi të mëdha ekonomike, ndërsa Presidenti i larguar Bartomeu e cilësoi këtë çështje si thelbësore për vazhdimësinë e klubi “blaugrana”.
Tani për të dyja palët, klubin dhe lojtarët nis një periudhë reflektimi që do të zgjasë deri në 23 nëntor.
Pas kësaj data, nëse lojtarët nuk do të pranojnë propozimin e klubit, Barcelona mund të vendosë në mënyrë të njëanshme uljen e pagave.
“Në këtë situatë i takon Këshillit të Administrimit të marrë vendimet për të zgjidhur problemin e rëndë financiar të lidhur me pandeminë e Covid-19 që provokon një reduktim të të ardhurave prej mbi 300 milionë eurosh, për sezonin 2020-2021 dhe që na detyron të rishohim shpenzimet për pagat për një shifër prej 191 milionë eurosh”, thuhet në komunikatën zyrtare të klubit.
Në rast të një veprimi të tillë, lojtarët nga ana e tyre mund të nisin një çështje ligjore për të zgjidhur kontratat duke u liruar nga detyrimet që kanë ndaj Barcelonës.
Një situatë vërtet e rrezikshme për një prej klubeve që në vitet e fundit ka shkruar historinë e futbollit.