Virusi izolon pjesërisht Shqipërinë, kufizimet hynë në fuqi në orën 22:00
Prej mbrëmjes së kësaj të mërkure e gjithë Shqipëria i është nënshtruar izolimit të pjesshëm. Në Tiranë rrugët pothuaj janë boshatisur, ndërsa bizneset janë mbyllur pak pasi ka rënë ora 22:00 e mbrëmjes. Ndërsa policia si masë në ditën e parë ka zgjedhur këshillimet dhe jo gjobat.
Për të dytën herë brenda vitit shqiptarët detyrohen të përballen me kufizime për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Ora 22:00 e gjeti Tiranën pa gjallërinë e zakonshme të qytetarëve të saj.
Në zbatim të urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë lokalet dhe restorantet fikën dritat dhe ulën qepenat.
Ish-Blloku, i klasifikuar si një nga zonat e kuqe në përhapjen e koronavirusit, të mërkurën ra në qetësi.
Të pakët në numër ishin qytetarët që nuk iu bindën kufizimeve, arsyet ia shpjeguan efektivëve të policisë.
Tirana mbrëmjen e së mërkurës ishte nën pushtetin e policisë.
Me qindra efektivë zbritën në terren për të monitoruar zbatimin e masave.
Qytetarët që konstatohen në shkelje do të gjobiten me 10 mijë lekë ndërsa bizneset 1 mln lekë.
Ky izolim i pjesshëm do të zgjasë deri në 2 dhjetor, mandej në varësi të situatës shqiptarët do i rikthehen lirisë ose karantinës kombëtare.
Çfarë duhet të dini për masat kufizuese
-Ndalohet lëvizja e lirë e qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 06:00;
- Përjashtohen rastet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme. Personat që lëvizin për arsye pune apo të domosdoshme duhet të pajisen me autorizim në portalin e-Albania;
-Personeli i shëndetësisë dhe punonjësit e strukturave të shërbimeve kritike përjashtohen nga rregulli i aplikimit në portalin e-Albania, duke patur dokumentacionin që vërteton punësimin pranë institucioneve përkatëse;
-Mbyllen nga ora 22:00 deri në orën 06:00, baret, restorantet, fast food-et dhe lokalet që ofrojnë shërbim për klientët.
-Përjashtohet nga rregulli shërbimi në banesë (delivery), i cili duhet të kryhet duke respektuar rregullat higjienike të miratuara.
Policia e Shtetit do të ndëshkojë me masë administrative cilindo që do të konstatohet në shkelje të masave kufizuese që kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
LEXO EDHE: Ziu: Ja profesionet që përjashtohen. Ç’do t’ju kërkojë policia në rrugë