Ndalon testimi i vaksinës kineze
Provat për vaksinën e kompanisë kineze Sinovac janë ndërprerë në Brazil. Autoritetet në këtë vend thanë se gjatë fazës së tretë është regjistruar një incident i rëndë dhe provat do të jenë të pezulluara deri në sqarimin e rastit. Paralelisht provat për këtë vaksinë po zhvillohen edhe në Turqi dhe Indonezi.
Në Brazil janë ndaluar provat klinike për vaksinën kundër koronavirusit të kompanisë kineze Sinovac. Në këtë vend autoritetet kanë raportuar një “incident të rëndë”, por pa specifikuar se çfarë ka ndodhur. Sipas Rregullatorit të Shëndetësisë në Brazil, Anvisa, incidenti është regjistruar më 29 tetor, gjatë testimeve të fazës së fundit të vaksinës kineze që paralelisht po ndodh në disa vende të botës.
Dimas Covas, kreu i institutit mjekësor Butantan, që po zhvillon provat klinike të vaksinës në Brazil, u tha mediave lokale se pezullimi i procesit të testimit erdhi për shkak të një vdekjeje. Megjithatë, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, ai insiston se vdekja nuk ka qenë e lidhur me vaksinën.
Këto testime të fazës së fundit nga kompania Sinovac janë duke u kryer edhe në Indonezi dhe Turqi, por deri më tani këto dy vende nuk kanë raportuar pezullim të testimit.Vaksina e kompanisë Sinovac është një prej shumë vaksinave që po testohen në fazat e tyre finale, ndërkohë Kina ka filluar të imunizojë mijëra vetë, kryesisht personel shëndetësor.
Deri më tani Sinovac nuk e ka komentuar ndalimin e testimit në Brazil.Brazili është një prej shteteve të prekur më rëndë nga koronavirusi, pasi regjistron mbi 5.6 milionë të infektuar, duke u renditur i treti në botë pas Shteteve të Bashkuara dhe Indisë.
Autoritetet braziliane kanë raportuar edhe 163 mijë viktima. Lajmi për ndërprerjen e provave klinike për një prej vaksinave kandidate vjen vetëm një ditë pasi bashkimi i firmave Phizer dhe BioNTech raportuan se vaksina e tyre kundër koronavirusit rezulton 90 për qind efikase.