Arsyet e dorëheqjes së dhëndrit të Erdogan nga posti i Ministrit të Financave

Ministri turk i Financave, Berat Albayrak, njëkohësisht edhe dhëndër i presidentit Recep Tayyip Erdogan, paralajmëroi dorëheqjen nga posti, sipas tij për arsye shëndetësore.

Albayrak e njoftoi vendimin e tij përmes një postimi në Instagram, duke shtuar se po tërhiqej nga posti për të shpenzuar më shumë kohë me familjen e tij.

Ai u caktua të ishte ministri i Financave në Turqi në korrik të vitit 2018, ku më parë kishte shërbyer si ministër i Energjetikës për tre vjet.

Dorëheqja e tij vjen pas shkarkimit të shefit të Bankës Qendrore, Murat Uysal, pas një rënie me 30% të lirës turke.

“Vendosa të mos e vazhdoj më punën time si ministër pas pesë vjetësh në post, për shkak të disa problemve shëndetësore”, shkruan Albayrak në Instagram.

“Dua të shpenzoj kohë me mamanë time, babain, gruan dhe fëmijët, me të cilët nuk kam kaluar kohë për shumë vjet për shkak të punës dhe të cilët nuk kanë kursyer asnjëherë mbështetjen ndaj meje”, është shprehur Albayrak.

Vendimi i tij për t’u dorëhequr nga posti nuk është konfirmuar apo pranuar akoma nga presidenti turk Erdogan.

Zv. ministri i Transportit në Turqi, Omer Fatih Sayan, thotë se shpreson që dorëheqja e Albayrak të refuzohet, dhe shkruan se “vendi ynë, populli dhe i gjithë komuniteti jonë kanë nevojë për ty”.

Albayrak, i cili ka katër fëmijë me vajzën e Erdogan, Esra, ka kryesuar Ministrinë gjatë një periudhe shumë të vështirë të ekonomisë turke.

Të premten, lira arriti një rekord tjetër të ulët shkëmbimi, duke humbur me rreth 45% ndaj dollarit amerikan.