Shifra të larta infektimesh, në spitalet e Maqedonisë së Veriut nuk ka më vende të lira
Maqedonia e Veriut po regjistron shifra rekord të të infektuarve me virusin COVID- 19.
Në 24 orët e fundit, janë kryer 3082 teste ndërsa janë regjistruar 1128 raste të reja.
Kujtojmë këtu se, një ditë më parë, u regjistruan 1,275 raste të reja duke bërë që situata në spitale të jetë pranë kolapsit total.
Zyrtarë shëndetësorë thonë se tashmë janë plotësuar të gjitha kapacitetet spitalore për pranimin e pacientëve me simptoma të rënda me koronavirus.
Arlinda Osmani, infektologe në Klinikën e Infektive në Shkup, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se brenda ditës pranohen aq pacientë sa lirohen shtretërit nga pacientët e shëruar, të cilët e vazhdojnë mjekimin në kushte shtëpie, sepse shtretër të lirë në Klinikën Infektive me spitalin modular me kapacitet prej 160 vendesh, tashmë nuk ka asnjë.
“Shtretërit e lirë numërohen në gishta. Pra, bëhet fjalë për pacientë që lëshohen për kurim shtëpiak e në këta shtretër pranohen pacientë të rinj. Pra, plotësohen kapacitet brenda ditës. Me vetë faktin që ne jemi institucioni më i lartë për sëmundje infektive në shtet, rastet më të vështira nga të gjitha qytetet i drejtojnë te ne”, thotë Osmani.
Ajo thekson se në duart e qytetarëve mbetet nëse sistemi shëndetësor do të arrijë të mbetet i qëndrueshëm, përkatësisht fakti sa qytetarët do t’i respektojnë rekomandimet e organeve kompetente për frenimin e përhapjes së koronavirusit, sepse siç thekson ajo, çdo neglizhencë mund të jetë fatale për shëndetin e vetë qytetarëve dhe të afërmve të tyre.
“Apeli që bëhet për respektimin e masave tashmë duhet të jetë i qartë për gjithë popullatën, sepse shifrat janë shumë të larta. Imagjinoni nëse vazhdojmë të kemi për çdo ditë mbi 1 mijë persona pozitivë llogariteni se minimum 10 për qind e tyre kërkojnë trajtim në spital dhe të njëjtit minimum do të duhet të shtrihen për dy javë, kjo do ta vë në sfidë të rëndë sistemin e shëndetësisë”, thotë Osmani.