A do të ketë arrestime të Gjykatës Speciale edhe në Shqipëri? Ja si përgjigjet analisti nga Kosova
Në një intervistë me Skype për RTV Ora, analisti dhe politologu nga Prishtina Shkodran Ramadani ka komentuar atë çfarë po ndodh pas zyrtarizimit të akt-akuzës së Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe çfarë pritet të ndodhë pas kësaj.
Sipas Ramadanit, konfirmimi i akt-akuzave ishte diçka e pritshme, por mënyra si u arrestuan ishte e papritshme.
“Arrestimet e djeshme të presidentit të Republikës së Kosovës dhe kreut të PDK Kadri Veseli si dhe ish-zëdhënësit të UÇK Jakup Krasniqi, pastaj një nga themeluesit e UÇK Rexhep Selimi, është pritur me shumë reagime në Kosovë. Kjo pasi që konfirmimi ka qenë I pritshëm, përveç disa njerëzve që kanë besuar se akt-akuzat do të rrëzohen, por e papritshme ka qenë mënyra si janë arrestuar, mënyra si shtëpitë e tyre janë bastisur duke krijuar panik dhe ankth te qytetarët. Dhe duke sjellë në televizionet tona pamje që jemi mësuar ti shohim para luftës në Kosovë", tha Ramadani.
Politologu shtoi më tej, se edhe në ditët në vazhdim pritet të ketë arrestime të reja.
"Unë besoj se kjo është vetëm vala e parë e arrestimeve dhe presim arrestime të tjera në ditët në vazhdim. Sepse nuk besoj se aktiviteti I Gjykatës Speciale, konkretisht akt-akuzat, do të mbyllen vetëm me këtë kapitull", tha politologu nga Kosova Shkodran Ramadani.
A mund të shtrihet edhe në Shqipëri aktiviteti i Speciales?
Shkodran Ramadani: “Nuk e di! Për këtë jam më pak i informuar, por di që në Kosovë, target i Speciales do të jenë edhe krerët e Zona Operative të UÇK, të cilët janë një rang më poshtë se Shtabi I Përgjithshëm. Por që do të përballen gjithashtu me akt-akuza nga më të ndryshmet".