Meta: Specialja, investim i Serbisë dhe aleatëve të saj. Kosova do ta përballojë me dinjitet, shqiptarët do jenë më të bashkuar

Presidenti, Ilir Meta, ka shprehur edhe një herë mbështetjen për shtetin e Kosovës në këtë moment delikat që po kalon, pas paraqitjes në Hagë të udhëheqjes së UÇK-së që u shoqërua dhe me dorëheqjen e Presidentit Thaçi.

Duke folur nga Fieri, Meta deklaroi se Gjykata Speciale është një investim i Serbisë dhe aleatëve të saj në një përpjekje të dështuar për të futur në krizë funksionimin e shtetit të Kosovës.

Por ai shprehu bindjen se Kosova do të përballojë me dinjitet këtë sfidë ndaj dhe apeloi udhëheqësit e Kosovës për bashkëpnim.

Meta: Krijimi i Gjykatës Speciale ishte një investim i Serbisë, aleatëve të saj. Është edhe një çmim që paguhet për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Absolutisht kjo është një përpjekje e dështuar për të vënë në diskutim luftën e drejtë dhe heroike të shqiptarëve të Kosovës apo edhe për të futur në krizë funksionimin e shtetit të Kosovës. Por kam besim te përgjegjshmëria dhe bashkëpunimi i të gjithë udhëheqësve të Kosovës për të përballuar këtë sfidë me shumë dinjitet. Kosova është një faktor i qartë i stabilitetit të këtij rajoni,është një vend demokratik pavarësisht nga disa bllokada dhe pabesi të cilat kërkojnë të vënë në pikëpyetje integritetin e saj, kjo gjë nuk ka për të ndodhur. Jam i sigurt që me këtë sfidë, shqiptarët kudo që janë do të jenë edhe më të bashkuar dhe më syçelët, do të rrinë pak pa gjumë por do t'ja dalin mbanë.

LEXO EDHE: Ora News siguron dokumentin, ja akuzat zyrtare që rëndojnë mbi Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin