Trafik armësh drejt Greqisë, kapen mitraloz, “kallash” e municione në Durrës, 2 në pranga
Dy persona u arrestuan nga Policia e Durrësit për një tentativë të trafikut ndërkombëtar të armëve. Ata u kapën me një mitraloz, një automatik dhe fishekë, që sipas burime policore do ti dërgonin në Greqi.
Ky është momenti kur policia e Durrësit arrestoi dy persona të përfshirë në trafik të armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake.
Në pranga u vunë Bajram Hoxha 60 vjeç, dhe Artur Polovina 47 vjeç, që që të dy banues në Kuçovë.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata dyshohen se trafikonin armë dhe municion jashtë Shqipërisë, aktivitet për të cilin kanë qenë në hetim për disa muaj me radhë nga strukturat e Policisë së shtetit të drejtuara nga Prokuroria e Durrësit.
Në cilësinë e provës materiale shërbimet e policisë sekuestruan 2 armë zjarri, një mitraloz dhe kallashnikov, 822 fishekë.
Gjithashtu u kapën një sasi lënde narkotike kanabis sativa, 2 mjete si dhe 3 aparate celular, të cilët këta shtetas i kishin në përdorim.
Bajram Hoxha dhe Artur Polovina rezultojnë të dy persona me precedentë penalë. I pari është dënuar për falsifikim dhe tjetri për "kultivim të bimëve narkotike."
Ata dyshohet se janë pjesë e një rrjeti më të gjerë të trafikimit të armëve nga Shqipëria drejt vendeve të tjera dhe policia thotë hetimi vijon për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitetet kriminal.