Ora News zbardh draftin/ Gati ligji për Presidentin, deputeti i PS: Synojmë të zgjidhim ngërçet artificiale
Partia Socialiste do të vërë edhe një herë në provë mbështetjen nga opozita e re parlamentare.
Këtë radhë është ligji për kompetencat e Presidentit që do të kërkojë së paku 83 vota në seancë.
Shameti: Hartimi i një ligji për organizimin dhe funksionimin e institucionit të Presidencës ka qenë një domosdoshmëri dhe detyrim kushtetues që i lindte Parlamentit për hartimin e këtij ligji organik me shumicë të cilësuar, ligj me 3/5.
Komisioni i Posaçëm i ngritur për hartimin e ligjit mbi Presidencën, ka hartuar draftin ku përcaktohet qartë mënyra se si duhet të veprojë Kreu i Shtetit.
Por Adnor Shameti shprehet se nuk ka të bëjë me kufizimet apo privilegjet e Kreut të Shtetit
Shameti: Me këtë ligj marrin fund njëherë e përgjithmonë të gjitha ngërçet artificiale apo problematikat artificiale të lindura në vitet e shkuara dhe të mos përsëriten më në të ardhmen.
Në fakt drafti, të cilin Ora News e disponon, vjen në kulmin e përplasjeve mes Presidentit dhe Kryeministrit.
Por dhe pas vendimit të Metës për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit apo zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ku edhe në këtë pikë kemi të bëjmë me një rregullim kushtetues.
Shameti: Nuk bëhet fjalë për kufizime të kompetencave të Presidentit të Republikës, është elaburimi në detaje i të gjithë të drejtave të Presidentit në Republikën parlamentare të Republikës së Shqipërisë.
Jo pak herë Presidenti Meta ka reaguar ashpër ndaj mazhorancës duke folur për shkelje të Kushtetutës.
Madje nuk kanë munguar as thirrjet për reagim përmes shprehjeve "O sot, o kurrë!"