Hetimet për 2.6 ton marijuanë në Mal të Zi, policia "zbërthen" të arrestuarit, japin emra
Grupi hetimor i ngritur nga policia për zbardhjen e kontrabandimit të 2.6 ton marijuanë drejt Malit të Zi ka arritur të mësojë detaje dhe identitetin e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë. Dy të arrestuarit kanë shpjeguar për policinë vendin ku kanë marrë sasinë e kanabisit si dhe rolin që ka patur secili. Ndërkohë SHÇBA ka nisur hetime ndaj doganierëve të pikës kufitare të Hanit të Hotit të cilët kanë patur përgjegjësi për kontrollin e kamionit.
Grupi hetimor i ngritur nga policia për zbardhjen e linjës së trafikut të tonelatave të drogës nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion Evropën, ka arritur të mësojë detaje të reja lidhur me sasinë 2.6 ton marijuanë të kapur pak ditë më parë në periferi të Podgoricës.
Dy të arrestuarit Përparim Shurdhi dhe Arlind Tabaku janë marrë në pyetje nga hetuesit në Shkodër, të cilët kanë dhënë informacione për personat e tjerë të përfshirë në trafikun e drogës, të cilët po mbahen nën vëzhgim nga punonjës të policisë.
Në deklarimet e tyre, 41-vjeçari Shurdhi dhe 36-vjeçari Tabaku kanë treguar vendin ku është marrë sasia e kanabisit si dhe rolin që kapur secili.
Emrat e personave po mbahen sekret nga policia për shkak të hetimeve që po kryhen, por në bazë të deklarimeve të tyre, po punohet për të zbardhur rolin konkret të personave të tjerë të përfshirë.
Sipas policisë, lënda narkotike është ngarkuar në kamion në magazinën e 41-vjeçarit, Përparim Shurdhi, por hetuesit janë duke kërkuar dhe verifikuar për të tjera ambiente ku mund të jetë ruajtur sasia prej 2.6 ton marijuanë.
SHÇBA ka nisur hetime për doganierët e pikës kufitare të Hanit të Hotit, të cilët kishin përgjegjësi për kontrollin e kamionit ku u konstatuan 2.6 ton marijuanë.
Hetimi ndaj doganierëve ka nisur për të mësuar nëse kanë vepruar në përputhje me detyrën, pasi ka dyshime se grupi kriminal të ketë infiltruar punonjës në këtë pikë kufitare.
Nga hetimi është përjashtuar dogana e Kapshticës, pasi është vërtetuar se kur kamioni ka kaluar aty nuk ka qenë i ngarkuar me marijuanë.
Droga e llojit marijuanë u kap pak ditë më parë në rrethinat e Podgoricës.
Për ngjarjen në Mal të Zi u arrestua shoferi i kamionit, Elvis Çalliku, për të cilin gjykata vendosi ta lërë në burg për 30 ditë.