Sulmi ndaj RTV Ora e Ora News/ Daci: Keqmenaxhimi i tyre do të paguhet nga shteti në formë dëmshpërblimi
Pak ditë pasi dy avokatët e presidentit të "Yldon Media Group", Ylli Ndroqi, depozituan në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kërkesën për revokim të vendimit të gjykatës, e cila ka vënë nën sekuestro prej rreth tre muajsh pasuritë e zotit Ndroqi, njëri prej tyre, avokati Jordan Daci ka shpjeguar hapat ligjore që po ndiqen.
Sipas Dacit, çështja në fjalë është me karakter të veçantë për shkak të backgroundit politik që ka por edhe për shkak të numrit të lartë që pasurive që janë objekt i sekuestros preventive.
“Kjo është një çështje, megjithëse ka çështje të tjera të ngjashme, për nga natyra dhe mënyra si ka ardhur deri këtu, është krejt e veçantë. Qoftë për background-in parapërgatitor me faktorë edhe politikë, krejtësisht politikë, deri te madhësia dhe lloji i pasurive që janë objekt i sekuestros preventive.
Edhe natyra e punës që kanë këto pasuri, posaçërisht televizioni, edhe televizioni tjetër, sigurisht që ka shfaqur probleme dhe sfida sa i përket administrimit. Kjo vlen edhe për shumë kompani të tjera, sidomos në fushën minerare, të cilat fatkeqësisht, për arsye që janë të paligjshme, por ne nuk i dimë pse, nga ministria e Energjitikës dhe institucione të tjera, janë bërë pengesë dhe praktikisht kjo ka çuar në mbyllje”, u shpreh Jordan Daci, pjesë e ekipit mbrojtës të Ylli Ndroqit.
Vendosja e dy administratove, në kundërshtim me ligjin për dy televizionet, RTV Ora dhe Ora News
Jordan Daci: “Administratorët mund të ndryshohen herë pas here sipas vlerësimit por sigurisht që duhet të ketë motive. Ne nuk kemi gjetur asnjë motiv të ligjshëm që do të ligjëronte zëvendësimin e dy administratorëve.
Për mendimin, zëvendësimi i tyre nuk është bërë në rrugë ligjore për sa kohë nuk ka motiv. Nga pikëpamja formale duket në rregull por për sa kohë nuk ka motiv ndryshimi... Për më tepër ne mund të themi edhe këtë: Zoti Ndroqi dhe ekipi mbrojtës nuk na intereson në kuptimin e mirëfilltë të fjalës se kush është administratori. Ne thjesht kërkojmë që kushdo të jetë administratori, ai ose ajo, një apo disa, thjesht të bëjnë detyrën dhe të mundohen, njësoj si mundohet një njeri për pasurinë e tij, të administrojnë këtë pronë. Gjë të cilën ne fatkeqësisht nuk e kemi konstatuar”.
Ka detyrime ndaj TV Ora, me miliona lekë, të cilat rezultojnë ende të pambledhura. Çfarë kanë bërë, administratori që iku dhe dy të tjerët?
Jordan Daci: “Në dijeni tonë, deri tani, nuk është bërë asgjë. Nuk ka filluar asnjë procedurë për mbledhjen, qoftë edhe me forcë, se dihet që kur kemi fatura tatimore siç janë edhe shumica e detyrimeve, edhe janë rreth 1 milion dollarë detyrime, sigurisht ata janël tituj ekzekutivë dhe nëpërmjet autorizimit që bën administratori personalisht apo personave të tjerë, lëshohet urdhëri i ekzekutimit dhe përmes Shërbimit Përmbarimor Shtetëror ose privat, vihet në ekzekutim. Këto veprime ne i kemi kërkuar vazhdimisht. Për çdo javë u janbë dërguar kërkesa këtyre administratorëve, edhe organeve të drejtësisë të përfshira në këtë proces, deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje por përveç përgjigjeve formale që mungojnë ajo që është më shqetësuese, përgjigja në formën e realizimit të detyrës që ata kanë nga ligji për të mbrojtur interesin financiar, në rradhë të parë të zotit Ndroqi por edhe të vetë shtetit sepse çdo dëm që shkaktohet si pasojë e këtij administrimi do të paguhet nesër në formën e dëmshpërblimit nga shteti”.