Dorëheqja e Thaçit zhyt në krizë Kosovën, nëse Kuvendi nuk zgjedh presidentin e ri, bie qeveria

Dorëheqja e  Hashim Thaçit nga posti i presidentit pritet të fuse Kosovën në një krizë institucionale.

Qeveria, e cila prej themelimit funksionon duke mos e pasur shumicën në Kuvend, tani mund të rrëzohet në rast se nuk mbërrin ta sigurojë shumicën prej të paktën 80 votash në Kuvend për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit.

Siç parashikon Kushtetuta e Kosovës, në raundet e para kërkohen 80 vota, ndërsa në të tretin 61 vota, por me kusht që 80 deputetë të marrin pjesë në votim.

Nëse në raundin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President, shpërndahet Parlamenti dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh, shkruan “Koha”.

Mbështetur në aktin më të lartë juridik, ushtruese e detyrës së presidentit për gjashtë muaj tani do të jetë Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, me të cilën presidenti Thaçi ka pasur përplasje të forta.

Osmanit edhe zyrtarisht i është dorëzuar detyra nga këshilltari i Thaçit, Ardian Arifaj.

Ceremonia e është bërë në prezencën e stafit të Presidencës dhe kryetares së Kuvendit.

Një burim i afërt i ka thënë “Kohës” se partnerët e koalicionit do të tentojnë t’i shmangin zgjedhjet e parakohshme, duke e zgjeruar koalicionin me PDK-në. Në bisedat e mëhershme joformale është diskutuar që PDK-së t’i ofrohet posti i presidentit dhe tri ministri në kabinetin Hoti. Deri para konfirmimit të aktakuzës, PDK-ja ka mohuar të ketë pasur diskutime të tilla.

Synimin për t’u bërë president prej disa muajsh e ka shpallur kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili po ashtu është intervistuar nga Gjykata Speciale. Por, LDK-ja nuk i ka ofruar mbështetje kandidaturës së tij, duke e ruajtur këtë pozitë për PDK-në. Zyrtarë të AAK-së në disa raste kanë kërcënuar me dalje nga koalicioni nëse nuk mbështetet kandidati i tyre.

Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i vetëm që vazhdon të insistojë në zgjedhje të parakohshme, pas të cilave do të zgjidhej edhe presidenti i vendit. Por deri më tani, kjo parti nuk ka arritur ta fusë në procedurë mocionin për rrëzimin e qeverisë. Që kjo të ndodhë duhen 40 nënshkrime të deputetëve, e VV i ka vetëm 31.