Dorëheqja e Thaçit, BE: Mbështesim fuqishëm punën e Gjykatës Speciale

Bashkimi Evropian reagon pas dorëheqjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ndaj të cilit janë konfirmuar aktakuzat nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në reagimin e tyre thuhet se, BE-ja mirëpret faktin që Hashim Thaçi, ka rënë dakord të bashkëpunojë me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, transmeton gazeta Zëri.

BE shpreh gjithashtu mbështetjen e saj nga punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“BE mbështet fuqimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Bashkëpunimi i plotë me këto institucione është thelbësor si një demonstrim i rëndësishëm i angazhimit të Kosovës për sundimin e ligjit, i cili nga ana tjetër është një element thelbësor për përparimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe për angazhimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor në tërësi”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano.

Pas dorëheqjes së Presidentit Thaçi, BE-ja beson se përfaqësuesit e Kosovës do të sigurojnë vazhdimësinë e institucioneve siç përcaktohet në ligjet e Kosovës.