Basha solidaritet me Thaçin, Veselin e Krasniqin: E vërteta do të ngadhnjejë, asgjë nuk do të përbaltë luftën e drejtë të UÇK-së

Pas konfirmimit të aktakuzave ndaj presidentit Thaçi dhe ish-krerëve të kuyvendit Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shprehur mbështetjen ndaj tyre dhe bindjen se ata dhe luftëtarë të tjerë të UÇK-së, do t’i faktojnë drejtësisë dhe mbarë botës se aktakuzat ndaj tyre janë të pabaza.

Basha: Jam i bindur se edhe ata, që nga presidenti Hashim Thaçi, kryetari i PDK Kadri Veseli, ish kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi e luftëtarë të tjerë të UÇK-së, do t’i faktojnë drejtësisë dhe mbarë botës se aktakuzat ndaj tyre janë të pabaza.

Basha thotë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë përballë agresionit dhe krimeve kundër njerëzimit e spastrimit etnik që regjimi kriminal i Millosheviçit po kryente ndaj popullsisë së pambrojtur në Kosovë.

Basha: Anëtarët e UÇK-së, pjesëmarrës në këtë luftë të pabarabartë, janë përballur e kanë dalë faqebardhë ndaj akuzave të ndryshme që janë ngritur ndaj tyre. Të tjerë luftëtarë po përballen sot.

Kryedemokrati nënvizon se askush nuk mund të barazojë viktimën me agresorin. Askush nuk mund të barazojë luftën e drejtë të UÇK-së për dinjitet njerëzor dhe liri, me masakrat dhe genocidin e ushtruar nga hordhitë kriminale të Millosheviçit ndaj popullsisë civile të Kosovës.

Basha: Lufta e UÇK-së pati në krah të saj Aleancën e Atlantikut të Veriut me në krye SHBA, sepse ishte një luftë e drejtë. Shqiptarët patën në krah dhe mbrojtje të tyre të gjitha vendet demokratike të botës sepse ndaj tyre po kryeheshin krimet më çnjerëzore. Asnjë shqiptar i Kosovës nuk i është fshehur drejtësisë por është përballur dhe ka ngadhnjyer. Jam i bindur se edhe këtë herë e vërteta do të ngadhnjejë dhe se asgjë nuk do mund të përbaltë luftën e drejtë të UÇK për liri.