Gjykata e Hagës “me dorë të hekurt” mbi UÇK, konfirmohet aktakuza e Kadri Veselit
Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi të enjten aktakuzën kundër kreut të Partisë Demokratike në Kosovës, Kadri Veseli.
Ish-kreu i Kuvendit njoftoi se do udhëtojë vullnetarisht drejt Hagës për t’iu përgjigjur akuzave për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit të kryera gjatë luftës çlirimtare kundër Serbisë.
“Jam i vetëdijshëm se ka njerëz në Kosovë që mendojnë se Dhomat e Specializuara janë një fyerje e luftës sonë historike për të mbrojtur popullin e Kosovës nga krimet e regjimit të Millosheviqit. Por unë nuk e shoh në këtë mënyrë, unë e shoh si një mundësi që më në fund të përgjigjem ndaj këtyre dyshimeve dhe thashethemeve të rrejshme të cilat kanë qarkulluar për vite të tëra. Që kur Dick Marty publikoi raportin e tij të pabazuar, ishte e pashmangshme që kjo ditë do të vinte. Ishte e pashmangshme që akuzat e tij të padrejta do të duhej të testoheshin në një gjykatë, në mënyrë që tu jepej fund njëherë e mirë. Kjo është arsyeja që unë e kam përkrahur themelimin e këtij tribunali, dhe kjo është arsyeja që unë tani jam i gatshëm që të luaj rolin tim në këtë proces“, thuhet në një deklaratë të zotit Veseli që u shpërnda nga partia e tij.
Ai shprehu besim në objektivitetin dhe paanshmërinë e gjykatësve, dhe dorëheqjen nga të gjitha funksionet e tij politike derisa të përballet me Gjykatën.
"Kërkoj nga të gjithë në Kosovë që të tregojnë gjithmonë respektin e duhur për autoritetet e drejtësisë. Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë nga e vërteta," deklaroi Veseli.
"Ishim bashkë në kohët e vështira, jemi bashkë edhe sot," reagoi ish-bashkëluftëtari dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
53-vjeçari ka qenë një ndër figurat kyç dhe shef i njësisë së Kundërzbulimit të ish-UÇK-së.
Më 24 prill, Prokuroria e Specializuar kishte paraqitur një aktakuzë kundër Veselit, presidentit Hashim Thaçi dhe disa personave "të tjerë" të paidentifikuar.
Pretendohet se ata kanë kryer “krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, zhdukje me forcë, persekutim e tortura, dhe vrasjen e gati 100 shqiptarëve të Kosovës, serbëve, romëve dhe njerëzve të kombësive të tjera, si dhe kundërshtarëve politikë.
Një ditë më parë, aktakuzat u konfirmuan edhe ndaj kreut të mëparshëm të Kuvendit, Jakup Krasniqit, dhe shefit të Grupit Parlamentar të "Lëvizjes Vetëvendosje", Rexhep Selimit.
Më 24 shtator, edhe Salih Mustafa, ish-epror i UÇK-së, u arrestua në shtëpinë e tij me të njëjtat akuza, ndonëse të gjithë të pandehurit pretendojnë pafajësi.
Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-UÇK-së nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.