Asnjë gjykatë në botë nuk mund ta rishkruajë historinë e lavdishme të UÇK

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, nëpërmjet një statusi në facebook ka reaguar në lidhje me konfirmimin e aktakuzave nga Gjykata Speciale të Krerëve të UÇK-së.

“Asnjë gjykatë në botë nuk mund ta rishkruajë historinë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe t'i shlyejë krimet kundër njerëzimit e gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë. Pikë!”- theksoi Cakaj në nisje të reagimit të tij.

Sipas Kryediplomatit, Serbia, jo Kosova, do të duhej të ballafaqohej me të kaluarën e saj kriminale dhe të dorëzonte kriminelët e luftës (të veshur edhe me kostumin e politikanëve të sotëm) para drejtësisë.

“Krimet e supozuara të luftës në Kosovë janë hetuar nga UNMIK-u, Tribunali i Hagës, EULEX-i, gjykatat vendore dhe tani, në mënyrë krejtësisht të njëanshme, edhe nga Gjykata Speciale. Kosova, ndryshe nga Serbia, deri më sot ka treguar të gjithë gatishmërinë e nevojshme për të bashkëpunuar me të gjithë mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare. Kosova s'ka asgjë për të fshehur: lufta e saj ka qenë e pastër dhe e drejtë.”- shprehu bindjen Cakaj.

Ne mbesim krejtësisht të bindur në drejtësinë e luftës dhe në pafajësinë e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kosova, si gjithmonë, do të ngrihet edhe më e fortë pavarësisht sfidave!”- përfundoi reagimin Kryediplomati.