Thirret në Hagë, Thaçi jep dorëheqjen si President i Kosovës
Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqjen e parakohshme nga presidenca për t'ju përgjigjur akuzave për krime kundër njerëzimit që rëndojnë ndaj tij për periudhën e luftës Kosovë-Serbi.
Presidenti i Kosovës njoftoi të enjten se Gjykata Speciale e Hagës ka konfirmuar akuzat porse ai nuk pranon të përballet me tribunalin në pozitën e kryeshtetarit.
“Nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë Presidenti i Kosovës. Ndaj për të mbrojtur integritetin e Presidencës së Republikës së Kosovës, të shtetit të Kosovës dhe të qytetarit të Kosovës, duke respektuar partneritetin e bashkësive ndërkombëtare, unë sot jam dorëheqjen nga pozita e Presidentit të Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Më 24 prill prokurorët në Dhomat e Specializuara ndërkombëtare bënë të njohura pretendimet ndaj Thaçit dhe disa ish-eksponentëve të UÇK-së për vrasjen, persekutimin dhe torturimin e gati 100 shqiptarëve të Kosovës, serbëve, shtetasve të tjerë dhe kundërshtarëve politikë.
Thaçi si ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të atëkohshme deklaroi se luftuan gjenocidin serb.
Lufta e drejtë për liri mbetet një nga periudhat më të ndritshme të historisë dhe askush nuk mund ta gjykojë, reagoi edhe Qeveria e Kosovës duke dalë në mbështetje të presidentit.
Kushtetuta e Kosovës parashikon që në rastin e largimit të presidentit, kryetarja e Kuvendit, aktualisht Vjosa Osmani, e ushtron postin e lartë për një periudhë jo më të gjatë se 6 muaj.
Thaçi kërkoi reflektim qytetar dhe politik në rrethanat e reja ku ndodhet vendi.
“Kosova ka qenë viktima dhe Serbia ka qenë agresori. Ndaj kjo situatë e re është një mundësi e re për Kosovën dhe duhet ta shndërrojmë në avantazh për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës. Kjo mund të arrihet duke ruajtur unitetin politik dhe qytetar. Ju lus për maturi, qetësi dhe unitet e bashkim. Të qëndrojmë të bashkuar. Kosova është një shtet i lirë, i qytetarëve të saj pa dallim etnik”, ka thënë ai.
Në muajin korrik, presidenti Thaçi u mor në pyetje nga prokurorët në Hagë për katër ditë me radhë, për rolin dhe përgjegjësitë e tij gjatë luftës.
Ai drejtoi zyrën e presidentit nga prilli i vitit 2016 dhe më herët ka mbajtur postin e kryeministrit, ministrit të Jashtëm dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.
Dje dhe sot, aktakuzat për krime lufte u konfirmuan edhe ndaj kreut aktual të PDK-së, Kadri Veselit, ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe shefit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.
Lexo edhe:
Hoti, pas dorëheqjes së Thaçit: Kushtetuta garanton tranzicion të qartë të përgjegjësive