Specialja arreston Jakup Krasniqin, niset për në Hagë

Ish-kreu i Parlamentit të Kosovës dhe ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare Jakup Krasniqi u arrestua të mërkurën me urdhër të Gjykatës Speciale. Avokati Valon Hasani, tha se zoti Krasniqi është dërguar në Hagë dhe shumë shpejt pritet të mbahet seanca ndaj tij. Kundër veprimeve të Gjykatës Speciale doli Organizata e Veteranëve të UÇK-së.

Pjesëtarë të EULEX-it bashkë me hetues të Gjykatës Speciale kanë arrestuar ish-zëdhënësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi.Sipas burimeve, arrestimi erdhi pas dhjetë orë bastisje në banesën e Krasniqit.

Bastisja filloi në shtëpinë e tij në Prishtinë, në lagjen Velania dhe më pas ka vazhduar në fshatin Negrovc, ku Krasniqi ka një tjetër shtëpi.

Arrestimi i Krasniqit u konfirmua në një konferencë për mediat nga avokati i tij, Valon Hasani. Avokati tha se Jakup Krasniqi është dërguar në Hagë dhe shumë shpejt pritet të mbahet seanca ndaj tij.

“Në bazë të urdhrit të Gjykatës Speciale është bërë arrestimi i Jakup Krasniqit dhe ai është nisur për në Hagë ku pritet që shumë shpejt të mbahet seanca pranë dhomave të specializuar”, tha ai.

I pyetur se për çfarë akuzohet Krasniqi, avokati Hasani tha se ende nuk dihet specifikisht, por që janë nën juridiksionin e veprave të Speciales, pra të krimeve të luftës.

Politikani 69-vjeçar është një nga figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjatë luftës ka mbajtur edhe postin e zëdhënësit të këtij formacioni.

Familjarët e Krasniqit ndanë bindjen në pastërtinë e figurës së tij.

"Është ditë që njerëzit që kanë qenë pjesë e UÇK-së do të ballafaqohen me këto gjëra. Unë jam i bindur në atë se ky nuk mund të përfaqësoj pjesën kriminale, nuk ka të bëjë me atë far pune."

Ndërsa ish-kryeministri, luftëtari dhe kreu i partisë AAK, Ramush Haradinaj, e cilësoi bastisjen e EULEX-it jo në përputhje me standardet e shteteve demokratike dhe dinjitetit njerëzor.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe besojmë në pafajësinë e z. Jakup Krasniqi,” reagoi Haradinaj në rrjetet sociale.

Jakup Krasniqi ka qenë Ministër i Shërbimeve Publike e më pas mori postin e të parit të Kuvendit të Kosovës.

Aktualisht ai shërben si kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, por në dhomat penale të Gjykatës Speciale në Kosovë ishte pyetur edhe korrikut e kaluar.

Në mbrojtje të Krasniqit dolën zyrtarë të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së. Enver Hajdari i cilësoi të njëanshme bastisjet e Prokurorisë së Specializuar.