Reagimi i gjyshit të Kujtim Fejzullait: Edhe ai është vrarë? Mori veten në qafë! Ja çfarë thonë familjarët e tjerë
Etiketimi i nipit të tij si terrorist pas sulmeve të përgjakshme në Vjenë por edhe vrasja e tij më pas nga policia e kanë tronditur së tepërmi gjyshin e Kujtim Fejzullahut nga Maqedonia e Veriut, aq sa e ka shumë të vështirë të pranojë që është nipi i tij.
Gjyshi i tij thotë se ai nuk ka pasur kontakt me familjen e tij për gjashtë muaj. Madje thotë se Kujtimi ka shkuar çdo vit në Maqedoninë e Veriut së bashku me familjen e tij.
“Po, si jo! Çdo vjet me familjen. Kujtimi normal vinte në banesë te nëna dhe te baba, por banesën e ka pas të veten. E tash çka ka bërë atje në banesën e vet nuk e din askush”, tha gjyshi i tij.
Por, në fund gjyshi i tij me kureshtje pyet për nipin, se është vrarë ai.
“Domethënë Kujtimi është i vrarë ashtu? Informatat e para janë ashtu… I vrarë është a?! Çfarë të bëjmë, vetën e ka marrë në qafë”, tha ai.
Edhe familjarë të tjerë në Çellopek të Tetovës, nuk kanë dashur të flasin para kamerave, por kanë rrëfyer për TV21 se ai kohëve të fundit ka shfaqur agresivitet dhe ka qenë i veçuar nga familjarët e tij.
Sipas familjarëve Kujtimi ka ardhur shpesh në fshatin Çellopek gjatë pushimeve verore dhe dimërore.
