Shifra alarmante me Covid-19, Selaniku dhe Serres në shtetrrethim

Shifrat alarmante të ditëve të fundit me raste pozitive me Covid-19, kanë bërë autoritetet greke të marrin vendim drastik.

Mësohet se qytetet e Selanikut dhe Serres kanë kufizuar lëvizjen. Qarkullimi do të jetë i ndaluar nga ora 21:00 e darkës deri në orën 05:00 të mëngjesit.
Qytetarët do të dalin nga shtëpia vetëm në rast nevojash shëndetësore dhe jetike.

Shkollat fillore do të qëndrojnë të hapura, ndërsa shkollat e mesme dhe universitetet do ta zhvillojnë mësimin online. Farmacitë, karburantet dhe supermarketet do të jenë gjithashtu të hapura.

Ligji ka hyrë në fuqi menjëherë dhe do të jetë i vlefshëm për dy javët në vazhdim.

Ditën e djeshme vetëm në Selanik u raportuan 449 raste pozitive.

Nga nisja e pandemisë, Greqia numëron mbi 42 mijë të infektuar dhe 644 viktima.