Kujtim Fejzullai e njoftoi sulmin në Instagram duke pozuar me armë, flet avokati: Nuk mund ta besoj, ai do të ishte bërë boksier

20-vjeçari shqiptar me origjinë nga Maqedonia e Veriut, Kujtim Fejzullai, i  dyshuari kryesor për sulmin në Vjenë e njoftoi krimin në llogarinë e tij në Instagram, raportoi gjermania Bild.

Sipas Bild, vrasësi ka pozuar në llogarinë e tij në Instagram para sulmit me një pushkë automatike, një pistoletë dhe një hanxhar. Pamja e burrit në foto korrespondon me sulmuesin në Vjenë.

Siç raportoi gazeta më tej, autori i krimit publikoi një letër besnikërie ndaj Shtetit Islamik. Profili i tij tani është bllokuar.

Për më tepër, Bild raporton se Fejzullai mëngjesin para sulmit  u dërgoi dy foto dy të njohurve nga sulmi i 2015 në gazetën satirike franceze Charlie Hebdo. Në atë kohë, dy sulmues islamikë mësynë redaksinë e gazetës, duke vrarë 17 vetë.

"Ai vinte nga një familje krejtësisht normale. Për mua ishte një adoleshent që nuk kishte mundësi të bënte miq të gabuar. Nëse ai nuk do të kishte shkuar në xhami, por në boks, ai do të ishte bërë një boksier," tha avokati i mbrojtjes penale me bazë në Vjenë Nikolaus Rast në përshkrimin e 20-vjeçarit. 

"Unë kurrë nuk do të kisha menduar se ai mund të bëhej një vrasës," tha Rast, i cili përfaqësoi Feizullahun në një seancë në Gjykatën Rajonale të Vjenës.

Ministri austriak i Brendshëm, Carl Nehammer, e përshkroi Kujtim Fejzullain si një terrorist islamik me origjinë maqedonase dhe një shtetas i dyfishtë, maqedonas dhe austriak.

 Ai tha se Fejzullai ishte kapur më parë duke u përpjekur të kalonte kufirin turk dhe të hynte në Siri për t'u bashkuar me grupin e Shtetit Islamik dhe në prill 2019 u dënua me 22 muaj burg.

 Në Dhjetor 2019, atij iu dha lirimi i parakohshëm sipas Aktit të Drejtësisë për të Mitur.

20-vjeçari kishte qenë edhe në shënjestër të shërbimit sekret austriak, meqenëse ishte në mesin e 90 islamistëve që kishin dashur të shkojnë në Siri, porse ishte penguar.