Mesha e Dom Simon Jubanit “zhbëri” Shqipërinë ateiste, Mark Morina dhe Zef Gjoni tregojnë ngjarjen e 4 Nëntorit 1990

Ky 4 nëntor shënoi 30-vjetorin e meshës së parë të besimit katolik mbajtur në Shkodër nën drejtimin e Dom Simon Jubani. Ajo shënoi rikthimin e shqiptarëve tek liria e besimit, pas më shumë se dy dekadash si vendi i vetem ateist në botë.

Mark Morina dhe Zef Gjoni, ishin krah Dom Simon Jubani  në meshën e parë që theu frikën nga regjimi komunist dhe shënoi rikthimin e lirisë së besimit.

Ata kujtojnë sot emocionet e 30 vjetëve më parë.

"E kam hap unë kishën i pari, nuk ka fjetur gjithë natën se prisja kur do të më marrë policia."

"Kanë qenë ditë të tmerrshme, ditë frike, ditë terrori."

Në ditën e përkujtimit të ndarjes së dy epokave, arqipeshkvi i Shkodres imzot Angelo Massafra, thotë se asnjëherë nuk është vonë që të jemi qytetarë më të mirë.

"Duhet ti bëjmë vetes një pyetje: Çfarë kemi bërë deri tani për një Shqipëri që kemi ëndërruar? Nuk është kurrë vonë për të ndërtuar një Shqipëri dhe një bashkësi të krishterë me vlerat që kanë përjetuar martirët tanë."

Ndërsa meshtari Mikel Pllumaj tha se sistemi komunist ka ende ndikim dhe sot shumë ngjarje që jetojmë janë të lidhura me atë kohë.

"Sistemi komunist 50 vjeçar duke bërë atë që ka bërë në të kaluarën ka ndikim edhe në të sotshmen tonë, në të gjitha sferat esenciale të jetës njerëzore".

Pasi regjimi komunist ndaloi fenë, të krishterët e mbajtën meshën e parë në Shkodër me 4 nëntor 1990, ndërsa muslimanët falën namazin në xhaminë e Plumbit më 16 nëntor 1990.