“Erioni i Kolonjës, si Erioni i Tiranës”/ “Rilindja” ende nuk ka shkuar në zonat rurale të bashkisë
Disa millionë euro investuar për sheshin dhe fasadat në Bashkinë e Kolonjës, por vetëm pak kilometra nga aty, banorët e fshatit Psar vuajnë për 500 metra rrugë. Ndaj banorët atje nuk ngurojnë ta krahasojnë atë me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj me merakun që sipas tyre kanë vetëm për fasadat.
887 000 euro i kanë kushtuar qeverisë shqiptare rikonstruksioni i Qendrës së Ersekës në kuadër të projektit “Rilindja Urbane”.
Sheshi u dekorua me pllaka guri, u mbollën pemë e u bënë fasadat.
Por “Rilindja” nuk ka dalë përtej qendrës së bashkisë juglindore që nga viti 2019 drejtohet nga Erion Isai.
Pamjet vijnë nga fshati Psar, vetëm dy kilometra nga qyteti.
Atje banorët vuajnë për vetem 500 metra rrugë.
Thonë se premtimin për ndërhyrje ua ka dhënë Elisa Spiropali, por fjala nuk u mbajt.
“Deri tani nuk kanë ardhur akoma, por edhe Elisa Spiropali na tha që do t’jua bëjmë rrugën. Këto kanalizime që janë për vaditje e nuk bën gjë ajo, kismet kur të bëhen votimet mos del ndonjë që të na e bëjë por se di. E mira është ta bëjnë por këto po hanë bashkë me njëri tjetrin e kush do e bëjë është puna. Sikur fare budallenj të jemi ne, i kuptojmë gjërat që ata hanë me njëri tjetrin”, shprehet njëri nga banorët.
Ngrenë dyshime se janë lënë në harresë nga fakti se janë rreth 40 familje e nuk kanë shumë vota të cilat sipas tyre duket se janë kthyer në kusht për investime.
“Ne kështu e kemi gjetur, kështu ka qenë edhe ndoshta u bëftë mos të mbëtet kështu. Nuk shkojmë dot në Ersekë , se duhet të marim dy palë këpucë”, shprehen banorët.
Gjendja e rrugës thonë banorët e Psarit përkeqësohet gjatë dimrit, që në zonë është i ashpër, ndaj i kërkojnë mbajtjen e premtimit.
“Këto po bëjnë shumë kohë që na gënjejnë , do ta bëjë tani na thonë por hedhin pak zhavorr dhe mbarojë rruga, në dimër bie shiu dhe prishet”, tregojnë banorët.