Basha: Farmacitë si dyqane me lista; Urdhri i Farmacistëve: Po përdoren barna të pasigurta për pacientët me Covid

Një ditë pas takoi mjekët e familjes, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me drejtues të Urdhrit të Farmacistëve, një  tjetër sistem kyç në përballjen me pandeminë.

Gjatë takimit me ta Basha ngriti shqetësimin për koston e kurimit të pacientëve me Covid si dhe mungesën e barnave të rimbursueshme në farmaci, duke u shprehur se edhe farmacistë janë bërë si dyqane me lista.

Basha: Farmacistët kanë qenë në vijën e parë si farmacistët edhe pse  qeveria nuk i përfshiu në paketën mbështetëse.Kjo ka shkaktuar edhe humbje jete, dy farmacistë që kanë humbur jetën nga Covid.  Shqetësimi im kryesor është se trajtimi ka kosto të përballueshme që fillon minimalisht nga 200 mijë lekë deri në 1 milion e 200 mijë lekë të vjetra. Nuk rimbursohen. Është një shumë e papërballueshme. Problemi tjetër si është situata me barnat, ka një alarm për mungesë të barnave të rimbursueshme. Farmacitë janë kthyer njësoj si njësitë e tjera tregtare në dyqane me lista. Në këtë situatë të pandemisë duket se nuk janë marrë masat për furnizimin e pandërprerë me barnat e domosdoshme, kryesisht antivirale dhe vaksinën e gripit.

Diana Toma, Presidente e Urdhrit të Farmacistëve, ngriti shqetësimin se mjekët nuk kanë një protokoll të trajtimit të pacientëve COVID dhe mungesa e protokolleve e ngarkon farmacistin me një përgjegjësi të panevojshme.

Diana Toma: Pesha i bie sistemit shëndetësor, nga kjo varen dhe sistemet e tjera. Sistemi farmaceutik  është një armatë vendimtare në sistemin shëndetësor por u përjashtua nga administrimi i pandemisë. Nga ne kërkohej shumë por problematikat tona nuk u dëgjuan.Sistemi shëndetësor ose funksionon si i tërë, ose me hallka të shkëputura dështon.Ne nuk kemi përfaqësim institucional dhe problematikat tona nuk dëgjohen. Mjekët nuk kanë një protokoll të trajtimit të pacientëve COVID. Mungesa e protokolleve e ngarkon farmacistin me një përgjegjësi të panevojshme. Ne nuk kemi akt normativ për mënyrën se si ta trajtojme pacientin. Asnjë rregullim ligjor për trajtimin e pacientëve me telefon.

Ata kërkuan gjithashtu rimbursim nga shteti  të paketës për kurimin e Covid-19, ndërsa dhanë alarmin se ka mungesa të barnave antivirale që luftojnë COVID-in.

Sipas tyre, por përdoren ilaçe të pasigurta dhe të paligjshme për trajtimin e pacientëve.

Gazment Koduzi: Tarifa e infermierit privat në shtëpi, 100 mijë lekë në ditë. Do ishte e udhës që paketa të ishte komplet e rimbursueshme.

Dëfrim Goma: Barra financiare e rimbursimit të paketës anti-Covid nuk është e madhe për shtetin.Kostoja e rimbursimit të paketës është e përballueshme nga shteti. Janë sjellë vetëm 9500 vaksina anti-grip.Ka mungesa të barnave antivirale që luftojnë COVID-in. Ilaçe të pasigurta dhe të paligjshme po përdoren në trajtimin e pacientëve.

Diana Toma: Jemi në një situatë tregu të disbalancuar, duhet të harmonizohet veprimtaria e institucioneve për të përballuar situatën. Duhet që shteti të drejtojë këtë luftë kundër COVID.

Dëfrim Goma: Ilaçet mund të autorizohen në mënyrë të përshpejtuar.Duhet të të regjistrohen dhe autorizohen subjektet që tregtojnë këto barna.

Diana Toma: Duhet të garantojmë që vaksina të vijë për pacientë shqiptarë.

https://youtu.be/9u6W1-puXMA