Dibër/ Prefekti: Rrugët kombëtare ende nuk kanë kontrata

Dimri i ashpër shoqërohet me problematika në qarkun e Dibrës.

Zona të tëra izolohen për shkak të dëborës, ndërsa rrugët kombëtare shpeshherë janë kthyer të rrezikshme.

Ndaj prefekti i Dibrës u ka kërkuar të gjithë institucioneve të përgatiten për çdo situatë të mundshme.

"Kemi kontrata për pjesën më të madhe të rrugëve, të akseve nacionale janë në tenderim ose në lidhje kontratash dy-tre akse, të tjerat pothuajse kanë kontrata në muajt në vijim", tregon  Nexhbedin Shehu, prefekti i Qarkut Dibër.

Prefekti i Dibrës, veren se rrugët nën varësi të  Autoritetit Rrugor Shqiptar janë pa mirëmbajtje deri më tani, pasi kontratat u ka munguar.

Pa kontratë për mirëmbajtjen është edhe aksi Ura e Ulzës qendër Ulëz.

"Nga data 15 nëntor ne do të ndalemi për kontroll për të parë për masat që kanë marrë operatorët dhe të gjithë subjektet që kanë detyrime për furnizimin me kripë, me çakull, gatishmërinë e mjeteve për përballimin e dimrit etj. Po kështu janë raportuar edhe qendra shëndetësore, spitalet, bujqësia dhe blegtoria për masat që janë marrë për përballimin e dimrit", shprehet Nexhbedin Shehu, prefekti i Qarkut Dibër.

Ndërkohë Bashkive u kërkohet që brenda datës 15 nëntor të kenë furnizuar me lëndë djegese ose dru të gjitha shkollat, pasi zyrtarisht kjo datë duhet t'i gjejë ato me ngrohje.