Dhimbje koke për Conten, Lukaku humb Parmën dhe Real Madridin
Një lajm i keq për trajnerin e Inter, Antonio Conte.
Sulmuesi kryesor i zikaltërve, Romelu Lukaku humb dy ndeshjet e rradhës në Serie A dhe mbi të gjitha atë ndaj Real Madrid në Champions League.
Ish sulmuesi i Manchester United iu nënshtrua rezonancës magnetike këtë mëngjes në institutin “Humanitas”, në Rozzano, pas një problemi që shfaqi në ndeshjen e Champions-it kundër Shakhtar Donetsk.
“Ekzaminimet treguan një tendosje të muskujve të kofshës së majtë. Situata e sulmuesit belg do të vlerësohet ditë pas dite", thuhet në komunikatën e Inter.
Golashënuesi më i mirë i Interit në këtë fillimsezoni do të mungojë ndaj Parmës në Serie A dhe kundër Real Madrid në Championsin League, një takim shumë përcaktues për renditjen e grupit.
Po punohet që Lukaku të jetë i gatshëm për sfidën kundër Atalantas më 8 nëntor, ndërsa një lajm ngushëllues për Conten është fakti që Alexis Sanchez ka nisur stërvitjen në grup.
Ndërkohë zikaltrit po presin edhe përgjigjen e tamponit për Skriniar, i kryer një ditë më parë.