Flet pronari rus i velierës që shkeli ujërat shqiptare: Sipas Ligjit ndërkombëtar lejohet kur ka shi

Agjensitë shqiptare kanë bllokuar velierën që u kap në Vlorë për shkelje të ujërave territoriale, por pronari rus e konsideron vendimin  absurd. Ai thotë se ishte moti i keq që e detyroi të ndalonte në Shqipëri dhe në këto kushte pretendon se është e lejuar sipas ligjit detar.

Ky është Dimitry Nikulin, pronari i velierës me flamur amerikan dhe udhëtarë rusë i sekuestruar për shkelje të ujërave detare.

Agjensitë shqiptare kanë nisur verifikime për mjetin dhe personat që udhëtonin aty, ndërsa ai konsideron absurd ndalimin.

Tregon se ishte moti i keq dhe mungesa e karburantit që e detyroi të ndalojë në ujërat territoriale shqiptare.

Pretendon se vetëm mëngjesin e të nesërmes arriti të kontaktojë policinë për procedurën, ndërsa kishte njoftuar edhe dy ditë me herët se do të futej në ujërat shqiptare

 “Në ligjin ndërkombëtar nësë të zë stuhia mund të ndalosh në çdo shtet.”

Dimitry Nikulin, thotë se policia nuk gjeti asgjë të ndaluar në varkë, ndërsa nuk është i njoftuar se autoritetet shqiptare kanë kërkuar informacion tek agjensitë homologe për varkën dhe bashkëudhëtarët e tij.

"Policia më ka bllokuar pasaportën dhe ne po jetojmë në varkë derisa situata të sqarohet."

Rusi pretendon se ishte nisur nga Turqia drejt Malit të Zi, ndërsa po mësonte personat që e shoqërojnë si të drejtojnë velierën.