Naftëtarët, Ramës: Mos na ngatërroni me Ligën e Futbollit!
Në ditën e 16 të grevës së urisë, gratë greviste të Ballshit i kujtojnë kryeministrit Rama se ka qenë ai që u ka sjellë privatin për menaxhimin e uzinës. Naftëtarët i kërkojnë kreut të qeverisë që të mos i ngatërrojnë me Ligën e Futbollit, pasi greva e tyre nuk do të ndalë.
"Ka një problem, punonjësit e një kompanie private, pasi është kompani private, nuk është e shtetit sepse është privatizuar. Dhe punonjësit e një ndërmarrje private e cila falimenton trajtohen nga shteti me asistencë sociale. Ky është detyrimi që ka shteti."
Por naftëtarët bëjnë përgjëgjës vetë Kryeministrin për kompanitë që u solli të menaxhojnë uzinën.
"Kanë ardhur, kanë ikur. Firmat nuk erdhën me dëshirën e punëtorëve këtu, Kryeministri i ka sjellë përdore me radhë këtu dhe tani thotë keni punë me privatin.Si paskemi punë me privatin, dimë gjë ne, na pyet njeri kush vjen dhe kush ikën?"
Naftëtarët i kërkojnë të parit të qeverisë të mos i ngatërrojë me Ligën e Futbollit.
"Mos të ngatërrojë kauzën tonë me kauzën e La Ligës së Futbollit. Futbolli nuk ishte në protestë por bojkot. Në bojkot nuk kanë qenë sportistët, të cilët janë punëtorë si puna jonë, por Presidentët që kërkojnë sipas ligjit hesapet e tyre".
Gratë naftëtare janë në ditën e 16 të grevës së tyre të urisë, dhe gjendja shëndetësore vjen e rëndohet.
Por ato janë të vendosura që të mos lëkunden nga ftesat e Kryeministrit për të lënë grevën e për tu ulur në negociata.
Ato thonë se nuk kanë besim, ndaj kërkojnë bisedime pa lënë grevën.