Vokshi i nxjerr videon Ramës: Kur premtoje pagat e prapambetura të naftëtarëve

Pas deklaratave në distancë me naftëtaret grevistë në Ballsh dhe përgjigjes së prerë të kryeministrit Edi Rama se nuk ka negociata pa u mbyllur më parë greva, reagon ish deputetja e PD, Albana Vokshi.

Vokshi publikon edhe një video ku shjfaqet vetë Rama, I cili premton pagat e prapambetura të naftëtarëve.

Albana Vokshi: “Edi Rama të heqë dorë nga presioni mbi gratë greviste në Ballsh. Askush s’i beson më atij, pasi ka shkelur disa herë premtimin për rihapjen e rafinerisë dhe marrjen e pagave të prapambetura.

Në 17 shtator, naftëtarët e Ballshit ishin para dyerve të qeverisë në Tiranë për të kërkuar dialog. Edi Rama nuk i përfilli. I la burra e gra të pashpresë me arrogancën e një kryeministri që nuk di çfarë do të thotë të mos kesh mundësi t’u japësh darkë fëmijëve.

Gratë greviste në Ballsh janë në të drejtën e tyre.

Harbutëria dhe cinizmi i Edi Ramës, që u vendos kushte grevisteve për t’i mashtruar prapë, është fytyra e korrupsionit që shkatërron jetët e shqiptarëve.

Edi Rama ka vetëm një rrugë me grevistët: T’u paguajë djersën e vjedhur deri në qindarkën e fundit”.

 “Ne po punojmë për të gjetur investitorë seriozë që të rindezin rafinerinë edhe pse greva juaj nuk ndihmon as për këtë! Ndërsa për ndihmën e mundshme shtetërore ndërkohë, meqë ju s’pranoni as të dilni në asistencë, ka vetëm një rrugë: Mbyllni grevën dhe ulemi qajmë hallin!” shkruante Rama sot në Twitter.