Rama me twitter ultimatum grave në Ballsh: Ndalni grevën, ndryshe s'ka negociata. Naftëtaret nuk tërhiqen
Nuk shkon në Ballsh por u dërgon "Selam' nga twitteri grave naftëtare të cilat vijojnë sot ditën e 14-të të grevës së urisë.
I quan "presione" dhe "ultimatume" veprimet e grave dhe thotë se nuk ka ndërmend të tërhiqet ndërsa gratë naftëtare, thotë Rama, duhet të bëjnë një hap pas nëse duan të ulen me të në tryezë për të qarë "hallin e tyre".
"Të dashura greviste të Ballshit, është e drejta juaj të mos dilni nga greva, por është e pamundur të ulemi bashkë me presione e ultimatume! Jam gati të vij tek ju sapo të mbyllni grevën e të flasim si do mundemi t'ju ndihmojmë për këtë hall që nuk e ka krijuar qeveria" shkruan Rama në një twitter ne oren 10:30
Më tej Rama u komunikon se po punojnë për të gjetur investitorë seriozë që të rindezin rafinerinë edhe pse greva e tyre nuk i ndihmon as për këtë
“Ne po punojmë për të gjetur investitorë seriozë që të rindezin rafinerinë edhe pse greva juaj nuk ndihmon as për këtë! Ndërsa për ndihmën e mundshme shtetërore ndërkohë, meqë ju s'pranoni as të dilni në asistencë, ka vetëm një rrugë: Mbyllni grevën dhe ulemi qajmë hallin!” shkruan Rama në Twitter.
Grate nuk heqin dore
Por gratë naftëtare janë të vendosura në kauzën e tyre. Përmes medias i përcjellin këtë mesazh nga Ballshi.
"Ne jemi këtu për bukën e fëmijëve. Nuk jemi vetëm ne 10 gra në grevë. Këtu i tërë Ballshi është. "Cakto orën dhe vendin por ne nuk dalim nga greva pa një gjë konkrete."
Ultimatumi i fundit
Në twitterin e dytë 30 minuta më pas Rama këmbëngul se nuk do të ulet nga tavolina pa u mbyllur greva e urisë.
"Miqtë e mi jo, më vjen keq po ne nuk do të ulemi dot në tavolinë pa u mbyll greva! Qeveria nuk negocion nën presionin e askujt dhe nuk pranon ultimatume nga askush. Mbyllni grevën dhe do të vij unë tek ju, menjëherë! Ndryshe s'ka bisedime."
Gratë naftëtare ndodhen në ditën e 14-të të grevës së urisë.