"Situata e pandemisë drejt katastrofës" Meta letër Ramës e Manastirliut. Edi: Ilir mos fut hundët
Situata e krijuar nga shifrat në rritje të infektimeve me covid 19 shihen me shqetësim nga Presidenti I Republikës Ilir Meta. Duke e parashikuar se gjendja mund të shkojë drejt katastrofës, Presidenti u ka nisur një letër me 11 pyetje ministres së shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe për dijeni edhe kryeministrit Rama e kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi.
Sipas asaj që publikon kreu i shtetit, "shtrohet si domosdoshmëri një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues".
Meta apelon se, situata e pandemisë pritet të përkeqësohet drejt një "katastrofe", që duhet parandaluar në kohë.
Ndërkohë nuk mungojnë as 11 pyetje drejtuar kryeministrisë, Kuvendit dhe Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me situatën dhe masat.
Presidenti Meta: Nisur nga përkeqësimi i dukshëm i situatës së pandemisë COVID-19, me shtim të numrin të personave të infektuar, e fatkeqësisht me rritje edhe të numrit të qytetarëve të cilën kanë humbur jetën, shtrohet si domosdoshmëri një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues.
Me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale e të njëanshme të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, situata e pandemisë pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe, që duhet parandaluar në kohë.
Në këto kushte, po bëj publike letrën zyrtare që i kam dërguar ministres së Shëndetësisë, për dijeni Kryeministrit ende në detyrë dhe Kryetarit të Kuvendit.
Pa vonuar kryeministri Rama zgjodhi t’i përgjigjet presidentit në twitter
"Ilir mos fut hundët, shiko punën tënde"
Ilir ti s'ke asnjë kompetencë të fusësh hundët në punët e ekspertëve për menaxhimin e situatës mjekësore! Si fillim mos dil vetë pa maskë nga shtëpia,mblidh edhe partinë tënde që të mos bëjë thirrje histerike kundër maskës dhe shiko punën që ke se vetëm atë s'po bën prej kohësh!
Kryeministri i bën me dije kreut të shtetit se janë ekspertët që vendosin për hapat që duhen ndërmarrë çdo ditë në bazë të strategjisë së vjeshtë-dimrit, ndërsa sqaron se rritja e numrave është brenda parashikimeve dhe qeveria duhet të shmangë me çdo kusht një mbyllje të re.
Në letrën e tij Kreu i shtetit vë në dukje faktin që Shqipëria ka numrin më të ulët të testimeve në Europë, ndaj i kërkon qeverisë të sqarojë se kur do të rrisë testimet. Po ashtu kreu i shtetit kërkon të dije nëse ka staf mjekësor mjaftueshëm apo nëse janë parashikuar financime në buxhet për pandeminë.

