U rikthye dje nga Siria, SPAK merr në pyetje Floresha Rashën

Pas kthimit prej Sirisë, SPAK do të marrë në pyetje Floresha Rashën gruan e parë të riatdhesuar nga zonat e luftës. Përmes marrjes në pyetje Prokuroria e Posaçme do të verifikojë udhëtimin e tyre nga Shqipëria në drejtim të destinacionit final Sirinë. Marrja në pyetje pritet të kryhet pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore për shkak të dëmtimeve nga snajperi në Siri. Një ditë pas vendosjes në Kavalishencë, ata do ti nënshtrohen programeve të rehabilitimit.

Riatdhesimi i 5 personave të parë nga kampi Al-Hol në Siri drejt Shqipërisë, ka vënë në lëvizje dhe Prokurorinë.

Floresha Rasha është e para që do i nënshtrohet marrjes në pyetje nga hetuesit e SPAK për të mësuar të dhëna lidhur me udhëtimin që ajo, bashkëshorti i saj Diamant Rasha dhe dy fëmijët kanë ndjekur për në Siri.

Rekrutuesit, financuesit dhe kontaktet që kanë pasur për të kaluar nga Shqipëria, në Turqi, me destinacion final Sirinë pritet të jenë në qendër të interest të akuzës.

Familja Rasha u larguan në vitin 2013 drejt Sirisë. Pak muaj pas mbërritjes në zonën e luftës mbeti i vrarë kryefamiljari dhe vajza.

Pas vdekjes së bashkëshortit Floresha Rasha sipas drejtorisë së anti-terrorit është martuar dy here, dhe prej këtyre lidhjeve ka sjellë në jetë dy vajza.

Institucionet kanë hartuar një plan pune lidhur me mënyrën si do vijojë trajtimi i 5 të riatdhesuarve të parë.

Ata do të qëndrojnë tek Shtëpia e Pushimit në Durrës ku fillimisht i janë nënshtruar kontrollit mjekësor dhe ku rezultojnë në gjendje të mirë, por problematike mbetet ana psikologjike pasi kanë shfaqur shenja frike.

Për këtë arsye atyre u është caktuar nga një mjek, psikolog dhe ekspert arsimi.

Aktualisht po punohet për ambientimin e tyre në territorin shqiptar, ndërsa personave që nuk dinë të flasin gjuhën shqipe do u caktohet dhe një përkthyes i gjuhës arabe.

Për një përshtatje të shpejtë është bërë e mundur që takimet me familjaret të vazhdojnë pa asnjë pengesë.

Edhe pse nuk do të kenë agjentë pranë godinës ku janë strehuar 4 fëmijët dhe Floresha Rasha, antiterrori do ti vëzhgojnë në distancë.

Kush është Floresha Rasha?

Ajo ndodhet në karrocë me rrota dhe nuk dihet në ç’rrethana ajo ka përfunduar kështu. Ajo është e veja e Diamant Rashës nga fshati Sllovë i Dibrës , i cili në Shqipëri punonte si shpërndarës picash, por kur shkoi në Siri, u njoh me emrin “Ebu Amar”.

Diamanti kishte frekuentuar xhaminë tek Unaza e Re në Tiranë ku ishte imam Genci Balla. Ai shkoi të luftonte për ISIS më 16 janar 2013 dhe me vete mori edhe familjen.

Ai u nis nga Tirana për në Stamboll dhe më pas përfundoi si ushtar i Shtetit Islamik.

Në vitin 2014 ai u ekzekutua me snajper duke lënë rrugëve gruan me 3 fëmijë. Pas kësaj ngjarjeje, Floresha Rasha kërkoi të kthehej në Shqipëri, po xhihadistët e bllokuan bashkë me fëmijët.

Në vitin 2015, Shaban Rasha, babai i viktimës dëshmoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në procesin gjyqësor në ngarkim të imamëve dhe besimtarëve të akuzuar për rekrutim të personave për vepra terroriste. Shabani u shpreh krenar për djalin e tij dhe faktin se kishte rënë në luftë.

“Diamant Rashën e kam djalë. Ai ka ndërruar jetë. Di që është vrarë. Ka qenë në fronin e luftës në Siri kundër Bashar Al Asadit, kriminelit të historisë. Në dijeni për vrasjen e djalit tim më ka vënë krushku. Babai i nuses së djalit më tha që Diamanti është vrarë. Elhamdulila, i thashë, të gjithë do vdesim një ditë", tha ai ndër të tjera para gjyqit.

Pas vrasjes së Diamantit, Floresha dyshohet se ka patur edhe dy fëmijë me kreun e luftëtarëve shqiptarë në ISIS, Lavdrim Muhaxheri, ndërsa një prej fëmijëve është vrarë gjithashtu në luftë.

E plagosur në luftë, me barrelë në Shqipëri

Floresha Rasha u riatdhesua së bashku me tre fëmijët e saj, Amar Rasha, Emel Rasha dhe Hatixhe Rasha.

Floresha e dobët dhe e lodhur fizikisht u transportua me barrelë nga Rinasi, për tu nisur më pas me autoambulancë drejt Tiranës.

Familjarët prej vitesh jetonin me ankthin e fatit të jetës së të afërmve të tyre.

Floresha Rasha dje në Rinas

Ish-vjehrri: Floresha na ka tradhëtuar. Nuk e dua në shtëpi

Shaban Rasha: “Më kanë marrë në telefon, prej 7 vjetësh nuk kam pasur asnjë kontakt. Nuk e ka lejuar ajo që të më marr, kam qenë një vjehrr i sjellshëm, me kulturë, madje të kishit njohur gruan time, ajo iku dhe na tradhtoi si të ishim ca injorant jo si të ishim të dy me shkollë, ajo farmaciste unë mësues. I thashë m’i lë mua fëmijët dhe nuk donte, se kujtonte se ty është dasmë, fushë me lule të vinin unazat në vesh”.

/a.r, OraNews