Mësues me Covid/ Pezullohet mësimi në dy shkolla, në Korçë dhe Kavajë

Prej dy javësh, mësimi në shkollën e fshatit të Kavajës është ndërprerë për shkak të përhapjes së koronavirusit dhe mësimi është transferuar online.

"Po e zhvillojmë mësimin online sepse janë 6 mësuese me Covid. Për rreth dy javë po zhvillojmë mësimin online", shprehet nxënësi.

Nxënësit nuk kanë ende asnjë informacion se kur do  të rikthehen në klasa, ku vlerësojnë se procesi mësimor është më i mirë.

"Në klasë është më mirë mësimi"

"E gjithë shkolla është e mbyllur. Nuk e dimë se kur do të  na hapet shkolla", shprehen nxënësit.

Mësohet se në shkollën Myslym Demrozi janë konfirmuar 6 mësues të prekur me koronavirus, ndaj shkollës i është vënë kyci deri në një vendim të dytë.

"Probleme dhe shqetësime në fshat nuk ka pasur deri tani sepse u kap shumë shpejt. Mësueset janë nga qytetet, nga Kavaja", tregon banori.

Ndërkohë edhe shkolla Sotir Gura në Korçë ka pezulluar procesin mësimor pasi 4 mësues janë konfirmuar të prekur me koronavirus.

"Në këtë shkollë ne kishim katër raste të mësuesve, dy prej të cilët kanë rezultuar pozitiv, ndërsa dy të tjerët që janë karantinuar për shkak të familjarëve të tyre që janë të sëmurë me koronë, ndërsa tre mësues të tjerë për shkaqe të tjera. Ndalimi i mësimit do të bëhet vetëm për sot, ndërsa nesër do të vazhdojë në kushtet normale mësimi në këtë shkollë", ka treguar drejtori i shkollës Sotir Gura.

Drejtoria e Arsimit thotë se ka marrë masat për zëvendësimin e mësuesve dhe procesi mësimor do të nisë pas dezinfektimit të shkollës