Karikatura e pazakontë e Erdogan/ Turqia akuzon Charlie Hebdon për "racizëm kulturor"
Turqia pritet të reagojë ligjërisht dhe diplomatikisht ndaj një karikature të presidentit turk, Reçep Taip Erdoan, që po qarkullon në gjithë botën.
Revista satirike "Charlie Hebdo" e hapi të mërkurën faqen e saj të parë me një vizatim të Erdoganit duke ndenjur ulur ndërsa dora e tij zbulonte shpinën e një gruaje të veshur me ferexhe.
Karikatura shoqërohej me nëntekstin: "Erdogani në jetën private është shakaxhi i madh".
Zyra e shtypit e presidencës turke e konsideroi karikaturën "vulgare dhe imorale, produkt i ksenofobisë, islamofobisë dhe intolerancës kulturore, të cilën lidershipi francez duket se e dëshiron për vendin e vet."
Prokuroria turke informoi nisjen e hetimit ndaj drejtuesve të revistës "Charlie Hebdo" për fyerje të figurës së shtetit, ndërsa Erdoani gjatë një aktiviteti tha se ai nuk e ka parë vizatimin në fjalë.
"Jemi në një kohë kur armiqësia ndaj islamit, myslimanëve dhe mungesa e respektit për profetin tonë po përhapet si kanceri ndër liderët e Europës," deklaroi Erdogan.
Turqia dhe Franca vijojnë përplasjet që kur presidenti Makron bëri të ditur masat e shtetit të tij për ta shpëtuar fenë islame nga kriza dhe radikalizmi, i nxitur nga vrasja e një mësuesi francez nga një 18-vjeçar mysliman pse ai u kishte shfaqur nxënësve karikatura të profetit.
Erdogani u përgjigj se homologu francez ka probleme me shëndetin mendor dhe sikundër vendet e tjera myslimane këtë javë bëri thirrje për bojkotimin e markave franceze.
Myslimanët janë komuniteti fetar i dyti më i madh në Francë, por presidenti Makron këmbëngul se vendi i tij nuk do heqë dorë nga ekspozimi i karikaturave pavarësisht protestës, do luftojë për lirinë e fjalës dhe do të vazhdojë të respektojë pikëpamjet e kundërta fetare.