I shpëtuan ferrit, momenti emocioues kur mamaja përqafon Endri Dumanin

7 vite pas largimit nga Shqipëria, këtë të martë u riatdhesuan 5 personat e parë nga zonat e konfliktit në Siri. Tërheqja e tyre u mundësua nga forcat e Antiterrorit dhe partnerët ndërkombëtarë, ndërsa në Shqipëri u pritën nga dhjetëra familjarët dhe të afërm. Operacioni i ditëve të fundit pritet të pasohet me tjetër ndërhyrje për të rikthyer të tjerë shtetas shqiptarë.

Shtatë vite pasi u larguan nga Shqipëria për tu vendosur në zonat e luftës në Siri, Floresha Rasha, 3 fëmijët e saj dhe 12 vjeçari Endri Dumani u riatdhesuan të martën në aeroportin e Rinasit.

Pesë personat e parë që u shpëtuan nga kampi Al-Hol u shoqëruan nga forcat e Antiterrorit nga momenti i tërheqjes nga kampi deri tek mbërritja në Tiranë.

Në ambientet e aeroportit, dhjetëra familjarë dhe të afërm prisnin me pankarta në duar takimin me të afërmit.

Momenti më emocionues ishte takimi i Mide Dumanit me djalin e saj 12-vjeç Endrin, të cilin kishte 7 vite pa e takuar.

Riatdhesimi i 5 personave të parë u shoqërua dhe nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se nxjerrja e fëmijëve nga kampi në Siri ka qenë një operacion i ndërlikuar.

Drejtori i Antiterrorit, Gledis Nano, tha se do të ketë një tjetër operacion për tërheqjen e shqiptarëve të tjerë.

5 personat e parë do të dërgohen tek shtëpia e pushimit në Durrës, ku do ti nënshtrohen disa programeve rehabilituese me qëllim riintegrimin në shoqëri.

https://youtu.be/twFb5tH5NX4