Riintegrimi i fëmijëve të kthyer nga Siria, Rama: Gati struktura e posaçme

Gjatë konferencës për shtyp në aeroportin e Rinasit, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se shqiptarët e riatdhesuar nga Siria do të shkojnë në struktura të posaçme ku do i ofrohet kujdesi i duhur.

A ka qeveria një strukturë për rinintegrimin e këtyre fëmijëve?

Edi Rama: “Ne në fakt e kemi gati strukturën e posaçme prej disa kohësh. Prej disa javësh mund të them sepse vendimi për të hyrë në territor është marrë në momentin e duhur por ne duhet të ishim gati më parë. Struktura është gati, jo vetëm për këta katër fëmijë por edhe për të tjerët që presim më pas. Me gjithë kujdesin e nevojshëm, me psikologë, me mësuesë, me mjekë dhe sigurisht që do të bashkëpunohet me të afërmit, do të shihet ecuria e fëmijëve. Pastaj do të bëhet integrimi i tyre në struktura sociale sipas gjykimit që do të japin mjekët dhe psikologët”.

Burime nga Ministria e Mbrojtjes thonë për Ora News se, fëmijët do të akomodohen pranë Kavaleshencës në Durrës, ndërsa për ta do të ketë edhe një përkthyes të gjuhës arabe.

Ata pritet të qëndrojnë te Kavaleshenca deri në plotësimin e dosjeve dhe bashkimin me familjarët që kanë në Shqipëri.