Ballsh/ Dita e 13-të e grevës, gratë naftëtare nuk ndalin rezistencën

Në ditën e 13-të grevës së urisë, gratë naftëtarë në Ballsh janë të vendosura të mos ndalojnë rezistencën. Ato i bëjnë thirrje kryeministrit që të ndërhyjë për pagat e tyre të cilat i kanë fituar me vendim të Gjykatës.

"Po bëhen vite qëkur na ka harruar shteti. Shteti nuk është i popullit, shteti ëhtë vetëm i atyre që kanë karrige. Nuk dimë se çfarë të themi, jemi katandisur si në Mesjetë"

"Gjendja jonë shëndetësore nuk është aspak e mirë. Jemi me dhimbje koke, me marrje mendsh, me të përziera"

"I bëjmë thirrje kryeministrit: Zoti kryeministër çfarë po kërkoj? Zoti kryeministër çfarë po kërkojnë këto nëna këtu? Vetëm 13 pagat e prapambetura", janë shprehur gratë greviste. 

Naftëtarët u mbështetën edhe nga 66 organizata të Shoqërisë Civile dhe të drejtave të njeriut, të cilat kanë kërkuar nga qeveria që të ndërhyjë menjëherë për zgjidhjen e problemit të naftëtarëve të Ballshit.

"Ne jemi një grup përfaqësuesish nga shoqëria civile. Rreth 66 organizata firmosën dhe mbështetën një letër të hapur, e cila iu drejtua Z.Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, Znj.Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Znj.Anila Denaj, ministre e Financës dhe Ekonomisë, Znj.Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale - Të merren masat e nevojshme për zgjidhjen e kërkesave të punonjësve të rafinerisë së naftës në Ballsh"

Naftëtaret e Ballshit u bëjnë ftesë veçanërisht grave deputete që të shkojnë në Ballsh dhe të shikojnë situatën e nënave mallakastriote.

Lexo edhe:

13 ditë grevë urie por nuk ka dritë në fund të tunelit, 68 organizata letër të hapur Ramës për gratë naftëtare