Vettingu bilanc lufte, Ibrahimi: Jini të drejtë paguheni më shumë se Presidenti

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi e ka cilësuar si një bilanc lufte rezultatin e deritanishëm të vettingut në drejtësi të nisur tri vite më parë.

"Për fat të keq të rejat nga sistemi i drejtësisë vazhdojnë ti ngjajnë një buletini i një lufte me shifra për numrin e të rënëve nga vettingu. Me vështirësi dhe problematika që shkaktohen qoftë nga rënia drastike e numrit të magjistratëve, qoftë nga problemet e trashëguara të natyrës ligjore dhe infrastrukturore", ka thënë Ibrahimi gjatë fjalës së tij.

Deklarata e Ibrahimit u bë gjatë nje ceremonisë së betimit të dy magjistratëve te rinj, ku ai u ka kërkuar të jenë të drejtë e të paanshëm duke u kujtuar se paga për ta është më e lartë edhe se e Presidentit te Republikës.

"Unë do desha të kujtoj se ju që në ditën e parë të punës tuaj si prokurorë, paguheni sa apo mos më shumë se sa Presidenti i Republikës. Është një fakt i vogël dhe shumë domethënës."

Ibrahimi ka garantuar magjistratët e rinj, se do të kenë mbështetjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Dy magjistratët e rinj Enkeleda Hoxha dhe Gazmend Frengu janë caktuar në prokuroritë e Kukësit dhe të Pogradecit, të cilat kanë mbetur me një numër të vogël prokurorësh.