KPK konfirmoi në detyrë gjyqtaren e Apelit Gjirokastër, Komisioneri Publik: Të riçelet hetimi gjyqësor
Komisionieri Publik bën ankimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit sa i përket konfirmimit në detyrë të Irena Brahimi, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër.
“Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që të riçelë hetimin gjyqësor, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit, në gjendjen që janë aktet, nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë”, thuhet ndër të tjera në ankimim.
“Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 276, datë 21.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Irena Brahimi, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër.
Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 276, datë 21.7.2020, konstaton se përfundimet e arritura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Irena Brahimi, janë rrjedhojë e një hetimi jo të plotë administrativ.
Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që të riçelë hetimin gjyqësor, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit, në gjendjen që janë aktet, nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni.
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë".
Trupa që konfirmoi në detyrë Brahimin më 21 korrik ishte e përbërë nga komisionerët Brunilda Bekteshi kryesuese, Olsi Komici anëtar dhe Lulëzim Hamitaj relator.