Mos vënie e maskave, në 24 orë policia vendos 659 gjoba, 12 shoqërime në rajon

Vazhdon vendosje e gjobave për mos vendosjen e maskave në ambientet e jashtme nga policia e shtetit.

Gjatë 24 orëve të fundit janë ndëshkuar me gjoba 844 qytetarë që janë konstatuar pa maska mbrojtëse.

"Gjatë kontrolleve në ambiente të ndryshme në të gjithë vendin, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse edhe gjatë orëve të mbrëmjes. Po gjatë kontrolleve janë evidentuar dhe ndëshkuar 659 qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat mbrojtëse dhe për këtë arsye, secili prej tyre është ndëshkuar me masën administrative me vlerë 3.000 lekë.  

Gjithashtu, nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore në të gjithë vendin janë konstatuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 185 pasagjerë që janë konstatuar pa maska në automjete private (pa lidhje familjare me drejtuesin e mjetit) dhe pasagjerë pa maska mbrojtëse në mjetet e transportit publik. Po gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 12 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit apo nuk e kanë pasur atë me vete, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë." - njofton policia.

Masa me gjobë, u vendos qysh nga 15 tetori 2020, për ata që nuk mbajnë maskë në ambientet publike.