Atentatorët e Dhimës në gjykatë, burg 4 të arrestuarve, “sms” që zbuluan autorët e dyshuar

Një mesazh ku flasin për dështimin e atentatit ka tradhtuar katër të arrestuarit për sulmin me armë të dyshuar ndaj biznesmenit Andon Dhima në Tiranë. Pasi shqyrtoi provat e prokurorisë gjykata vendosi ndaj katër të dyshuarve masën arrest me burg. Një e afërme e dy prej të arrestuarve hodhi poshtë akuzat dhe tha se ka video që tregojnë se familjarët e saj ndodheshin në jë festë në kohën kur ka ndodhur ngjarja.

Gjykata e Tiranës caktoi masën arrest me burg ndaj katër personave të arrestuar për atentatin e dështuar ndaj biznesmenit Andon Dhima.

Pavarësisht pretendimeve të të pandehurve të cilët thonë se nuk kanë lidhje me ngjarjen dhe madje kanë alibi se atë natë ndodheshin në një tjetër vend, kjo nuk e ka bindur gjykatën për të dhënë një masë tjetër sigurisë për Grid Lenon, Albon Hoxhën, Mariglen Matohitin dhe Enea Hoxhën të akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë.  

Prokurori i çështjes ka paraqitur para trupit gjykues pamjet e kamerave te sigurisë së pallatit të biznesmenit dhe ambientit për rreth ku duken qartë edhe fytyrat e të akuzuarve.

Një tjetër provë ndaj tyre është edhe një sms në celularin e një të akuzuarve ku thuhet “këtë here dolëm huq”.

Para nisjes së seancës familjarja e dy prej të arrestuarve Greta Matohiti, ka deklaruar se ditën e ngjarjes vëllai dhe bashkëshorti i saj kanë qenë në lokalin e tyre dhe për këtë ka edhe video

"Im vëlla dhe burri ishin në lokal, njëri kamarier, duke punuar me pjata në duar jo me armë. Në video bëhet fjalë në orën 22:06 minuta, atentati është bërë në orën 22:09. Të flasim fillimisht për këtë, më pas për rajonin. Im vëlla vetëm të ketë ndonjë klon dhe të iki. Plus që ka patur mbi 20 vetë dëshmitarë. Dua të flas për këtë videon se rrëzon policinë dhe ato që kam parë në media, se i kanë nxjerrë si vrasës të paguar. Kanë thënë që Grid Lenon është i dënuar në Gjermani. Ka paguar për krimin e tij.

Me biznesmenin nuk i ka lidhur asgjë. Erdhi policia, kur unë isha tek lokali deri në mbrëmje dhe i morën dhe i rrahën, meqë siç tha polici: Prej teje kam 5 netë pa gjumë. Ke bërë detyrën i tha burri im dhe në këtë moment e qëlluan. Mua më morën në rajon si të shoqëruar, dhe më thonin ty do të të arrestojmë dhe fëmijën do e çojmë në jetimore. Lidhin tutat sportive se ai del tek lokali. Tim shoq del për vrap tek liqeni, dhe e lidhin meqënëse ai del atje duke kaluar për vrap. Ka një video që ka kaluar në afërsi. ai nuk punon se merrem unë me restorantin. Ai është shtëpi, sport, fëmijë, lokal. Po ta shihni është shumë afër lokali me liqenin. Ç’lidhje ka kjo me atentatin?

Vëllai im ka deklaruar që ato sende nuk kanë qenë në shtëpi. Asgjë nga Policia nuk është e vërtetë, duke qenë se unë kam video që e përgënjeshtron këtë gjë. Nuk i njohim, nuk kemi lidhje fare. Nuk kemi lidhje me biznesmenin. I them këtij zotit Dhima, mund ta takoj t’i them çfarë lidhje kanë këta. Ai duhet të ndihet ende i kërcënuar, se atentatorët nëse i ka jashtë është ende i rrezikuar. Mund të jenë kaq të pafajshëm sa këta të mitë. Unë e kam tim vëlla me video me pamje që ka qenë atje në ditëlindje. Më thanë që do të të fusim në burg për moskallëzim krimi, ndërkohë që s’kisha lidhje.”

Biznesmeni Andon Dhima i është drejtuar prokurorisë me një denoncim duke pretenduar se kanë tentuar ta vrasin.

Ai ka dorëzuar pamjet e kamerave të sigurisë së pallatit të tij ku shfaqeshin dy persona te maskuar dhe me rroba policie te cilët futen pas tij ne pallat por fatmirësisht biznesmeni ishte larguar me ashensor.

Lexo edhe:

https://www.oranews.tv/atentani-ndaj-biznesmenit-dhima-flet-motra-dhe-bashkeshortja-e-2-te-arrestuarve-nuk-kane-lidhje-me-ngjarjen/