"Plehrat zihen për plehrat", Mehmetaj i përvishet Murrizit: Shihemi në gjykatë! Shitesh për 5 lekë
Ish-deputetja e LSI Kejdi Mehmetaj ka sulmuar deputetin Mylim Murrizi, pasi ky i fundit dje në Parlament i përmendi të atin.
Mehmetaj e ka cilësuar deputetin si një shushunjë, teksa shton se ai është shitur te kryeministri Rama.
"Ky njeri i ulët që nuk gëzon respektin e askujt e që nuk i kërkon dot votën as bashkëfshatarëve të tij. Ky njëri që shitet për 5 lek, e mbijeton si shushunjë duke pirë nga gjaku e djersa e të tjerëve duhet të mendohet mirë përpara se të përmend emrin tim e të familjes time.
E shoh që Edi Rama është trembur keq qoftë nga denoncimi i ashpër që po i bëjmë aferave si ajo e inceneratorëve e qoftë nga ekipi në rritje i LSI dhe ka ndërsyer qentë e tij të lehin lartë e poshtë, por këtë herë ka gabuar rëndë. Ndryshe nga Murrizi, që është kthyer në atlete të përdorur të Edi Ramës e që pranon me votën e tij në parlament çdo aferë e paligjishmëri, unë e familja ime jetojmë me dinjitet e karakter", shkruan Mehmetaj.
Sakaq Nënkryetarja e LSI ka vijuar më tej, duke sqaruar se babai i saj nuk ka qenë kurrë në fshatin Vërri të Fierit, ndërkohë që ka kërcënuar deputetin Murrizi se do të shihen në gjykatë.
"Babai im nuk ka shkelur ndonjëherë në Verri, e jo më të ketë punuar për atë helm e vjedhje që po bëhet aty. Vazhdo shitu Myslym, se vetëm këtë di të bësh, me mua do të shihesh në gjykatë. Herë tjetër përpara se të përdoresh si mish për top, kërko ndonjë provë për broçkullat që nxjerr nga goja."
Ditën e djeshme, deputeti Myslim Murrizi gjatë seancës parlamentare, akuzoi babain e Kejdi Mehmetaj, Fatmir Mehmetaj si të përfshirë në çështjen e landfillit.