Sejko takim online me Guvernatorët e Bankave të vendeve të Evropës: Ringjallja e ekonomisë e rrethur nga rreziqet

Strategjitë e nevojshme për të siguruar rimëkëmbjen dhe për të forcuar qëndrueshmërinë ishin fokus i diskutimeve të takimit online mes Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko me Ministrat e Financave dhe Guvernatorët e Bankave Qendrore të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore si dhe me Drejtoren e Përgjithshme të FMN-së, Kristalina Georgieva.

Gjatë fjalës së tij Sejko u shpreh se rigjallërimi i ekonomisë vazhdon të jetë nën trysninë e rreziqeve.

Sejko: Së pari, rigjallërimi i ekonomisë mbetet i rrethuar nga rreziqe të kahut të poshtëm, ndërsa hapësira për veprim e politikave po zvogëlohet gjithnjë e më shumë. Së dyti, goditja e rëndë mund të ulë potencialin e rritjes ekonomike në të gjithë globin. Së treti, një përmbysje potenciale e integrimit të zinxhirit të prodhimit dhe tregtisë globale mund të çojë në fragmentim të politikave ekonomike dhe të rrisë më tej vështirësitë për ekonomitë në zhvillim.

Sipas guvernatori goditje të tilla me një ndikim kaq të madh në ekonomi kërkojnë marrjen e masave në një kohë të shpejtë.

Drejtorja e Përgjithshme e FMN-së,  Kristalina Georgieva u shpreh se natyra e goditjes pandemike kërkon mbështetje të vazhdueshme të politikave.

Sipas saj, politikëbërësit duhet të gjejnë mënyra për të vazhduar të mbështesin ekonominë, ndërsa përgatiten për botën post-pandemike dhe trajtojnë sfidat afatgjata.

Përhapja e pandemisë i vendosi gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor në një recesion të thellë duke shkaktuar rënie të ardhurash dhe prodhimi si dhe rritje të papunësisë.