"Europa nuk flet me ne!" Soreca i përgjigjet Ramës: BE flet prej vitesh me Shqipërinë, ngrini Kushtetuesen
"Ne jemi të dashuruar verbërisht me BE-në. Europa thotë se do të martohet me ne, por a mund të martohesh me dikë që nuk flet?"
Kështu u shpreh nga Gjermania kryeministri, Edi Rama, duke folur për hapjen e negociatave me BE-në.
Por Ambasadori i delegacionit të BE-së, Luigi Soreca, ka tjetër mendim. Nga Kukësi, ku mori pjesë në forumin "Europa është këtu", Soreca tregoi se BE flet prej kohësh me Shqipërinë, madje në shumë nivele.
Soreca: Ne kemi shumë vite që flasim me Shqipërinë. Vizitat e mia në rreth 40 bashki do të thotë të flasësh me shqiptarët. BE flet me Shqipërinë në nivel lokal dhe qëndror.Europa është pranë Shqipërisë.
Vlerësimin për marrëdhënien e ngushtë Soreca e jep edhe në vendimin e marrë në mars.
Soreca: Vendimi i marrë në mars nga Këshilli për negociatat u mor në një moment të vështirë, ku BE dhe vendet anëtare vendosën në favor të Shqipërisë.
Reforma në drejtësi mbetet kushti kryesor ndaj Soreca kërkon prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi vlerësim të shpejtë të kandidaturave për Gjykatën Kushtetuese.
Soreca: Shumë kushte janë përmbushur dhe Shqipëria është shumë afër përmbushjes së kushteve të tjera. E kam mirëpritur vendimin e Presidentit dhe Parlamentit për shpalljen e dy vendeve vakante për Gjykatën Kushtetuese. KED duhet të bëjë vlerësimin sa më shpejt pasi ngritja e Gjykatës Kushtetuese është kusht që duhet të përmbushet në javët në vijim dhe pastaj të vendoset për fatin e konferencës ndërqeveritare.
Pas zgjedhjes së tyre, Konferenca ndërqeveritare do të ndërmarrë hapin e radhës për negociatat.