BOOM/“O Zot më shëro!” Lutja e djalit 13-vjeçar që jeton në karrocë me rrota

Emisioni investigativ "BOOM" në Rtv Ora solli këtë të premte në rubrikën "Shqipëria pa filtra" historinë e Orgito Kumanakut.

Sot  ai është 13 vjeç por ndryshe nga bashkëmoshatarë nuk ka mundur asnjëherë të frekuentojë  shkollën.  

Orgito ishte 6 muajsh kur prindërit e  tij kuptuan se djali kishte probleme shëndetësore.

Ka 13 vite që djali  jeton në një karrocë me rrota. Familja jeton në fshatin Kallm të Vogël në Fier dhe  fizioterapia që për djalin është e detyrueshme,  nuk bëhet rregullisht. 

Të vetmen kërkesë që prindërit e Orgitos kanë, është një vizitë e specializuar për djalin për të kuptuar nëse mund të ketë përmirësim në të ardhmen ose jo.

 "Djali im ka 13 vjet që qëndron në karrocë. Ai është fëmijë i zgjuar dhe do të mësojë. Djali nuk mund të flasë, unë vetëm një gjë kam dëshirë që djali të më thërrasë një ditë mami" tregon e ëma. 

 "Djali im  çdo ditë i lutet Zotit. Ai shpreson se një ditë do të shërohet. Unë punoj në bujqësi dhe të gjitha lekët që fitoj i kam shpenzuar për shëndetin e djalit por deri tani nuk kam mundur ta shëroj. I lutem çdo individi  dhe spitali privat ose shtetëror që të më ofrojë një vizitë të specializuar për djalin" apelon babai. 

Shpresojmë që kësaj thirrje ti përgjigjen sa më shumë persona, në mënyrë që ti vijnë në ndihmë familjes së djalit 13-vjeçar.